Një polemikë ka shpërthyer në Spanjë mes Real Madridit dhe presidentit të La Ligës, Javier Tebas, pas ankesave të “Los Blancos” lidhur me gjykimin në ndeshjen derbi që humbën ndaj Atlético Madridit gjatë fundjavës.
“Të pretendosh se gjyqtarët e kanë inat Real Madridin do të thotë të jetosh në një galaktikë tjetër. Ky narrativ shërben si alibi për të mbuluar mangësi të tjera – të dukshme me sy të lirë edhe në këto ndeshje të hershme të sezonit. Është më e lehtë të hipotezosh një komplot sesa të shpjegosh atë që po ndodh realisht në fushë,” tha Tebas, komentet e të cilit kanë marrë një jehonë të gjerë në mediat spanjolle.
Real Madridi reagoi menjëherë duke lëshuar një deklaratë zyrtare, në të cilën thuhet se Tebas ka një “fiksim” ndaj klubit dhe komentet e tij të fundit cilësohen si “të rënda dhe të pakuptueshme – të papërshtatshme për një drejtues përgjegjës”.
“Besojmë se kompeticioni ka nevojë urgjente për një drejtues të aftë për ta menaxhuar dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tij, duke respektuar njëkohësisht detyrën themelore të neutralitetit,” thuhet në deklaratën e Real Madridit, e cila thekson se qëndrimi i Tebasit “dëmton imazhin e futbollit spanjoll”.