Polemika mes trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, dhe atij të Barcelonës, Hansi Flick, vijon të bëjë bujë. Pas deklaratave të gjermanit se kombëtarja spanjolle nuk kishte treguar kujdes të mjaftueshëm për Lamine Yamal, tekniku i “La Roja” dha një përgjigje të prerë.
“Nuk ka asnjë konflikt me Flick-un. Thjesht më habitën ato deklarata. Ai ka qenë trajner i një kombëtareje dhe mendoja se do të kishte më shumë empati”, u shpreh De la Fuente. “Ai e di shumë mirë se si sillemi me lojtarët tanë. Kjo është ajo që më surprizon, që një ish-seleksionues të ketë një opinion të tillë”.
Trajneri spanjoll theksoi se çështja e Flick nuk duhet të kthehet në kryefjalë kur ekipi i tij ka përpara detyra shumë më të rëndësishme: “Ne po luftojmë për kualifikimin në Botëror. Ky është prioriteti ynë. Gjërat e tjera nuk kanë rëndësi. Secili tha atë që kishte për të thënë dhe kaq”.
I pyetur mbi gjendjen fizike të Lamine Yamal pas ndeshjes me Turqinë, De la Fuente u tregua i qartë: “Unë gjithmonë them të vërtetën. Jo të vërtetën time, por të vërtetën. Pas ndeshjes ai ndjeu një shqetësim, por asgjë serioze. Në karrierën time nuk kam luajtur kurrë pa ndier ndonjë shqetësim. Departamenti ynë mjekësor e ka shpjeguar situatën dhe unë gjithashtu. Nuk ka asgjë më shumë për të shtuar”.
Me këtë reagim, tekniku spanjoll kërkon të qetësojë situatën dhe të përqendrojë vëmendjen tek objektivi kryesor i “La Roja-s”: sigurimi i një vendi në Kupën e Botës 2026.