Paris SG-ja vazhdon të jetë në qendë rtë vëmendjes edhe në këtë merkato vere. Kjo nuk ka lidhje vetëm me rastin “Mbape”, por edhe për lëvizjet e shumta të tjera në merkaton e klubit francez. Ndërsa çështja “Mbape” vazhdon të ziejë që nga kohëra të shkuara, klubi nga Parisi po tenton të “zhvatë” Barcelonën. Arnau Tenas shkoi falas nga Barça në “Parque des Prínces”, Osman Dembele pritet ta konfirmojë brenda kësaj jave.
Ndërkohë, tani skuadra e Luis Enrikes është fokusuar te një tjetër yll i Barcelonës, Ansu Fati. Siç bëjnë me dije mediat franceze, klubi francez po përgatit një ofertë për sulmuesin e kombëtares spanjolle.
Trajneri i ri i Parisit, Luis Enrike i beson sulmuesit siç tregoi në kohën e tij si teknik i Spanjës. Me Ansu Fati që nuk është se ka mbështetjen e plotë të Ksavit dhe nuk është titullar te Barcelona, nuk është për t’u habitur nëse vetë lojtari zgjedh të pranojë propozimin e ardhur nga Parisi.
Ansu, i cili është një nga anëtarët e skuadrës aktuale të Barcelonës që mban një marrëdhënie të mirë me Dembele, këtë herë mund t’i dorëzohet ofertave dhe të luajë përsëri në të njëjtin ekip me mikun e tij, por këtë herë te PSG-ja.
DEMBELE KTHEHET – Ndërkaq, Osman Dembele ka lënë Parisin pa firmë dhe është kthyer në Barcelonë.
Që të enjten ai ndodhej në kryeqytetin francez për të mbyllur transferimin te PSG-ja, por jo gjithçka ka përfunduar për shkak të mosmarrëveshjes mes agjentit të tij dhe Barcelonës për shumën që klubi katalanas do të përfitojë nga transferimi i tij.
Në këtë mënyrë ai dje është kthyer në Barcelonë për t’u stërvitur me ekipin në pritje të mbylljes së burokracive që do t’i jepnin dritën jeshile kalimit në kampionatin francez.
PANORAMASPORT.AL