“Jam i kënaqur me pothuajse gjithçka ndodhi në këtë ndeshje. Atmosfera në ‘Parc des Princes’ për takimet e Champions League është gjithmonë e veçantë; tifozët ishin të jashtëzakonshëm”, tha trajneri i PSG, Luis Enrique pas fitores 6-1 ndaj Slovan Bratislava.
“Këtu është gjithmonë fantastike, por atmosfera e mbrëmjes së djeshme ishte vërtet e veçantë dhe skuadra u përgjigj siç duhet. Më pëlqeu shumë intensiteti me të cilin e nisëm ndeshjen, veçanërisht ai intensitet i lartë në fazën pa top. Jemi një skuadër që është shumë e vështirë të neutralizohet dhe jam shumë i kënaqur me rezultatin”, tha spanjolli.
“E vetmja gjë negative është pësimi i atij goli, por në përgjithësi, jam shumë i lumtur. Mendoj se të gjithë kanë besim te kjo skuadër, veçanërisht tifozët tanë”, shtoi Luis Enrique.
Në fund, trajneri i PSG tha: “Të gjithë e kuptojnë se gjatë një sezoni do të kalojmë edhe momente të vështira. Por ne kemi treguar se jemi këtu, se ky është kompeticioni ynë dhe duam që të vazhdojë të jetë kështu.”