Paris Saint-Germain po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Luis Enriques. Ekipi francez jo vetëm që ka fituar titullin e parë në histori të Ligës së Kampionëve, por tani konsiderohet favorit kryesor për triumfin edhe në Kupën e Botës për Klube.
Fitorja mbresëlënëse 4-0 ndaj Atlético Madridit është një tjetër dëshmi e fuqisë së PSG-së në edicionin 2024/25.
Ndër ata që kanë lavdëruar suksesin e teknikut spanjoll është edhe Christophe Dugarry, ish-kampion bote dhe evropian me Francën dhe ish-lojtar i Barcelonës. Në një intervistë për RMC Sport, ai u shpreh:”Sot, pa dyshim, ai është trajneri më i mirë në botë. Kur fiton dy Liga të Kampionëve, duhet ta pranosh këtë”.
Dugarry thekson se Luis Enrique ka hyrë në një rreth elitar trajnerësh që kanë fituar trofeun prestigjioz të Ligës së Kampionëve me dy klube të ndryshme, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj si Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola.
Përkundër kësaj lavdie, Dugarry nuk kurseu edhe një kritikë të lehtë për stilin e lojës së Enriques: “E vetmja pengesë është se nuk ka një stil origjinal. Fillimisht ai thjesht kopjoi stilin e Barcelonës, edhe pse sot ai e ka përmirësuar shumë atë qasje”.
Pavarësisht kësaj vërejtjeje, Dugarry mbetet i impresionuar nga puna e Enrique, sidomos në muajt e fundit në “Parc des Princes”, ndërsa mbetet i bindur se PSG do të dominojë për shumë vite.
“Jam më i prekur nga ajo që ka bërë te PSG këto gjashtë muajt e fundit sesa nga ajo që ka arritur te Barça. Ajo që po ndodh është vërtet mbresëlënëse.”
“Po dëshmojmë një mbretërim të vërtetë të PSG-së, një klub me burime të pakufizuara. Nuk e shoh se si kjo mund të ndryshojë së shpejti”, deklaroi francezi.
PSG ka fituar shtatë nga tetë edicionet e fundit të Ligue 1 dhe me Luis Enrique në krye, ambiciet e klubit nuk kanë kufij.