Romelu Lukaku është gati të ulë rrogën vetëm që të largohet nga Çelsi. Shkëmbimi me Vlahoviçin për të shkuar te Juventusi është pak i mundshëm, pasi klubi italian kërkon të paktën 35 milionë euro përveç kartonit të belgut, që nga “blutë” nuk vlerësohet më shumë se 20- 25 milionë. Teksa Totenhemi duket palë e interesuar pas largimit të Harri Kejnit drejt Bajernit, edhe Milani përbën më shumë se thjesht një hipotezë në këto momente.
Kuqezinjtë kërkojnë një alternues të Zhirusë dhe ishbomberi i Interit mund të ishte zgjidhja. Problemi, është rroga e “Big Rom”-it, që paguhet 12 milionë euro në Londër. Sipas “Sportmediaset” ai është gati të paguhet më pak vetëm për t’u larguar nga Çelsi. Këtë e ka konfirmuar edhe gazetari i specializuar në çështjet e Milanit, Karlo Pelegati, i cili ka përmendur edhe një bisedë mes palëve për një transferim të mundshëm. Ndërkohë, sipas kompanive të basteve, shanset e Lukakut te Milani janë të pakta. Koeficient 15 për këtë lëvizje, e cila, nëse kryhet, do të shpërblente në mënyrë të majme bastvënësit, por edhe Stefano Piolin që po kërkon dëshpërimisht një “pykë”.
ALTERNATIVA- Nëse nuk e blen askush, Lukaku do të duhet të marrë në konsideratë Arabinë Saudite. Interesi, e sidomos paratë nuk mungojnë, por deri më tani ai ka refuzuar çdo kontakt, pasi dëshiron të mbetet në Europë. Nëse nuk gjen klubin e duhur, atëherë duket e pashmangshme që të gjejë një ekip për të sfiduar Kristiano Ronaldon dhe të tjerët që tashmë në Arabi ndodhen prej disa kohësh, pasi në situatën aktuale, vijimi i karrierës në Kontinentin e Vjetër duket jo pak i ndërlikuar.
REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL