Çështja “Brozoviç” e ka lënë disi në hije atë “Lukaku”, por padyshim që një nga temat më të nxehta të Interit për momentin është e ardhmja e sulmuesit.
Belgut i ka skaduar tashmë huazimi njëvjeçar me Interin dhe është zyrtarisht lojtar i Çelsit, por as italianët dhe as vetë lojtari nuk janë dorëzuar për të siguruar një tjetër vit së bashku. Atë që ka pasur në dorë vetë 30-vjeçari e ka bërë, duke ia shprehur qartë vullnetin e tij londinezëve dhe duke refuzuar ofertat marramendëse nga Arabia, me atë të fundit të Al-Hilalit që shkoi në 58 milionë euro në sezon.
Nga ana tjetër edhe Interi, në takimin e tij të parë me Çelsin u ka propozuar një tjetër huazim, që është refuzuar nga anglezët, të cilët duan shitjen përfundimtare të sulmuesit. Në këto kushte Marota e Auzilio po shqyrtojnë prej kohësh një tjetër mënyrë për të bindur homologët e tyre dhe pronarin Tod Bohli dhe sipas ekspertit të merkatos Fabricio Romano, do të vijë gjatë kësaj jave një tjetër takim mes paklëve për të parashtruar idetë.
Po sipas gazetarit, Interi po planifikon të ofrojë huazimin me detyrim blerjeje, me 5 milionë euro që do të paguhen për huazimin deri në qershorin e ardhshëm dhe me 30 milionë euro shifrën e përcaktuar për blerjen. Risia e propozimit të radhës të Interit ama do të jetë pagesa me këste për blerjen, që pritet për t’u parë nëse do të pranohet nga londinezët.
POSTIMI – Ndërkohë që e ardhmja e tij është ende e paqartë, vetë Lukaku nuk po humbet kohë dhe edhe pse me pushime vazhdon të stërvitet, për të qenë gati për sezonin e ri. Sulmuesi ka postuar dje në faqen e tij zyrtare në “Instagram” një foto gjysmë i zhveshur pas stërvitjes, ku bie në sy forma e tij e shkëlqyer fizike. Duket se Lukaku i ka paralajmëruar kundërshtarët, me shpresën se do të jenë italianë dhe do të jetë pjesë e grumbullimit të Interit që nis më 13 korrik.
PANORAMASPORT.AL