Lukas Podolski ka dashur të luajë rolin e shkuesit në aksin Londër-Mynih, aty ku e ardhmja e Herri Kejn gjendet në kurbën e diskutimeve. Ish-lojtari i përfaqësueses gjermane edhe pse në moshën 38-vjeçare vazhdon të qëndrojë aktiv në fushën e blertë, të paktën në bazë të kontratës me ekipin polak të Gornik Zabrze, e ku biznesi ka marrë tjetër qasje në planet e tij.
Ai tashmë ka marrë rolin e një profesionisti në rrjetin e biznesit të qebapëve, duke krijuar jo pak zhurmë në botën mediatike. Për ta lënë mënjanë këtë element identifikues të së tashmes prej Podolskit jashtë katërkëndëshit të gjelbër, ish-lojtari i Bajernit në periudhën 2006-2009 ka dashur të kontribuojë sadopak në vendimin finale prej Kejnit.
NOTAT LAVDËRUESE- ”Nuk kam asnjë dyshim se Kejni është një nga bomberët më të mirë në futbollin aktiv. Mjafton të shikojmë se çfarë ka qenë në gjendje të demonstrojë me Totenhem në vazhdimësi. Thuajse perfekt në konkretizimin e rasteve dhe mbajtjen e përgjegjësisë si lider. I bindur se kjo panoramë do të pasohet edhe në Mynih, gjithmonë nëse kalimi mbyllet me sukses”, tha Lukas në podkastin e “Bild”.
“FORMULA E TROFEVE”-”Bajerni e ka ende pronë pa zot numrin 9-të, pra ‘pykën’. Herri do të ishte zgjedhje ideale, marrë në konsideratë përputhshmërinë e karakteristikave mes të dyja palëve. Garantimi i të paktën 20-25 golave në sezon do t’i jepte frymëmarrje ekipit në konkretizimin e rasteve. Nëse i referohemi moshës së shënuesit më të mirë në kampin e ‘gjelave’, marr përgjegjësin të them se bavarezët janë shansi i fundit ku 29-vjeçari mund të fitojë trofe dhe të lërë gjurmë në kontinentin e vjetër.
Numri në masë i rrjetave në Angli nuk janë përkthyer në suksese dhe kupat janë ato që i vënë vulën përfundimtare”, e mbylli Lukas Podolski. Sulmuesi përgjatë ciklit kur inkuadrohej me Bajernin, ia ka dalë të shënojë 26 gola dhe 20 asiste në 106 prezenca te rekordmenët gjermanë. Ai e kreu debutimin me “pancerat” më 6 qershor të vitit 2006, e ku arritja më e madhe përkon me Botërorin “Brazil 2014”, ndonëse nuk e bindi trajneri Joakim Lëv të ishte protagonist në rrugëtimin drejt triumfit.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL