Vendimi është marrë: Lutfi Dalipi, talenti 20-vjeçar i Young Boys, i cili aktualisht luan në huazim te Vaduz, nuk do ta përfaqësojë më Zvicrën. Kështu, Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) rrezikon të humbasë një tjetër talent premtues të zhvilluar në Zvicër, raporton mediumi zviceran Blick.
Interesimi për 20-vjeçarin është gjithnjë e më i madh. Dalipi po shkëlqen me fanellën e Vaduzit në Superligë, ndërsa paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane.
Në mesin e skuadrave që po e përcjellin nga afër janë Stuttgart, Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe Salzburg. Sipas raportimeve, klubet e interesuara janë të gatshme të paguajnë shuma prej dhjetëra milionë eurosh për transferimin e tij.
Përpara se të vendosë për të ardhmen në nivel klubesh, Dalipi duhet të marrë edhe një vendim të rëndësishëm për karrierën ndërkombëtare: cilën kombëtare do ta përfaqësojë.
Përveç Zvicrës, ai ka të drejtë të luajë për Kosovën, Shqipërinë dhe Portugalinë. Megjithatë, interesimi më i madh për të vjen nga dy federatat shqiptare. Sipas Blick, një takim me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit është zhvilluar të shtunën e kaluar në Cyrih.
Premtimi që i bëri gjyshit
Sipas Blick, Dalipi ka marrë një vendim të rëndësishëm: Zvicra nuk do të jetë zgjedhja e tij për përfaqësuesen. Emri i tij mungonte edhe në listën e fundit të përzgjedhësit Murat Yakin.
“Një lojtar i ri dhe interesant që ka tërhequr vëmendjen me statistikat e tij. Megjithatë, për sa kohë që kam kaq shumë lojtarë në dispozicion në mesfushën qendrore, do të jetë e vështirë të futem në skuadër”, ka thënë Yakin.
Dalipi duket se është i vetëdijshëm për konkurrencën në përfaqësuesen zvicerane. Ai gjithashtu ka refuzuar një ftesë për ekipin U21 për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare, duke shpjeguar se nuk dëshiron të zërë vendin e një futbollisti tjetër nëse më pas vendos të luajë për një kombëtare tjetër.
Sipas raportimit të Blick, Dalipi i ka premtuar gjyshit të tij se në të ardhmen do të luajë për Shqipërinë ose Kosovën. Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë javëve të ardhshme.
Me këtë zhvillim, Federata Zvicerane e Futbollit rrezikon të humbasë një tjetër talent të zhvilluar në vend, pas Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Alessandro Romanos.
“Nuk mund të ndikojmë se cilin komb zgjedh të përfaqësojë. Ne po i përmbahemi strategjisë sonë. Një thirrje duhet të ketë kuptim sportiv. Nuk mund të thërrasim çdo lojtar me shtetësi të dyfishtë dhe t’u japim disa minuta kohë loje në mënyrë që të regjistrohen zyrtarisht me ne. Duhet të jetë e drejtë për lojtarët që kanë qenë me ne më gjatë”, ka shtuar përzgjedhësi i Zvicrës.