Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, duke kaluar nga kampionati çek në atë francez. Klubi i njohur i Lyon është interesuar seriozisht për ish-lojtarin e Ballkanit, duke bërë edhe një ofertë zyrtare për të.
Sipas “FootMercato, francezët i kanë ofruar 6 milionë euro Spartës së Pragës për të pasur shërbimet e sulmuesit të Kosovës. Një shumë e konsiderueshme, që mund t’i bindë çekët për ta shitur Rrahmanin.

Futbollisti 25-vjeçar ka spikatur këtë sezon me Spartën e Pragës, me 12 gola të shënuar në 32 ndeshje të deritanishme. Paraqitja e tij në kampionatin çek ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjera të kampionateve të forta, madje edhe nga Premier League.
Lyon kërkon të fuqizojë sulmin në merkaton e dimrit dhe sheh pikërisht Albion Rrahmanin si një nga lojtarët që do ta ndihmonte për pjesën e mbetur të sezonit. Nëse transferimi në Francë kryhet me sukses, do të ishte pa dyshim një lëvizje e rëndësishme për futbollistin kosovar.


