Puna e trajnerit Bekim Isufi është vlerësuar lart nga skuadra e Malishevës, të cilën po e udhëheq drejt kreut të tabelës në Superligën e Kosovës në futboll.
Me anë të një postimi, Malisheva ka konfirmuar se është tejet e kënaqur me atë që Isufi dhe stafi i tij e kanë bërë deri më tani kur janë zhvilluar 14-të xhiro në elitën e futbollit kosovar.
Aktualisht, Malisheva zë vendin e tretë në tabelë me 25 pikë, ku në 14 ndeshje të luajtura ka regjistruar 7 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje.
“Çfarë punë të mrekullueshme po bën Bekim Isufi. Mbresëlënës!”, ka shkruar Malisheva në rrjetin social “Facebook” të hënën.
Isufi mori drejtimin e Malishevës para fillimit të këtij sezoni duke e zëvendësuar Qëndrim Kidën, i cili sezonin e shkuar pati rezultate të mira dhe siguroi pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshjen e radhës në kampionat, Malisheva e luan të dielën në udhëtim te skuadra e Gjilanit.