Monday, 17. August 2026
Futboll

Mallorca vendos çmimin për Vedat Muriqin, interesim i madh nga klube europiane dhe turke

GS 29/05/2026 1 Min. Lesezeit

Krerët e Mallorcas raportohet se kanë përcaktuar çmimin për kartonin e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

32-vjeçari ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2029, por rënia e Mallorcas nga La Liga ka ndryshuar planet e të gjitha palëve.

Sipas mediave spanjolle, Mallorca kërkon të paktën 18 milionë euro për transferimin e Muriqit, një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me vlerësimin prej rreth 30 milionë eurosh që klubi kishte para rënies në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Interesimi për sulmuesin kosovar mbetet i madh. Ditë më parë u raportua se Muriqi ka arritur marrëveshje personale me Aziz Yildirimin, kandidatin për president të Fenerbahçes, për një rikthim të mundshëm në futbollin turk.

Përveç Fenerbahçes, interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe Galatasaray, Charlotte FC dhe gjiganti spanjoll Barcelona.

Muriqi zhvilloi një sezon fantastik në La Liga, duke realizuar 23 gola dhe duke qenë lojtari kryesor i Mallorcas në repartin ofensiv.

Teilen: