Manchester Unitedi të premten e zyrtarizoi Ruben Amorimin si trajner të ri. Por Amorim do ta nisë punën tek Unitedi vetëm më 11 nëntor. Kështu Ruud van Nistelrooy, trajneri i përkohshëm, do ta udhëheq skuadrën në derbin e madh ndaj Chelseat. Nistelrooy mori drejtimin e përkohshëm të skuadrës, pas shkarkimit të Eric ten Hagut.
Holandezi Ten Hag u shkarkua për mungesë të rezultateve. Dhe Nistelrooy do të përpiqet që ta ndihmojë skuadrën të kthehet në binarë. Nuk do ta ketë të lehtë të dielën në ndeshjen që fillon në orën 17:30 dhe zhvillohet në “Old Trafford”.
Ndeshja i takon xhiros së dhjetë të Premier Leagues.
Manchester Unitedi është vetëm i 14-ti në tabelë, me 11 pikë. Chelsea qëndron më mirë. Ka 17 pikë në pozitën e pestë. Me tjetër fitore do t’i afrohej kreut dhe kështu vetëm sa do ta thellonte krizën e “djajve të kuq”.
Me ikonën Van Nistelrooy në krye, Unitedi fitoi 5:2 në mesjavë në kuadër të EFL Cup. Ndërkohë shkarkimi i Ten Hagut erdhi pas humbjes 2:1 nga West Hami në xhiron e kaluar.
Dy ndeshjet e fundit, Chelsea ishin ndaj Newcastle Unitedit. Fillimisht Chelsea fitoi 2:1 në kuadër të Premier Leagues e më pas humbi 2:0 në kuadër të EFL Cup.
Në ndeshjen e parë të xhiros, të shtunën nga ora 13:30, Newcastle e pret Arsenalin. Arsenali është i treti me 18 pikë. Lider është Manchester City me 23 pikë, ndërsa Liverpooli i ka 22 në pozitën e dytë.