Si dihet tashmë, Marcus Rashford mund ta lërë Manchester United, duke hapur kështu rrugën për një epokë të re për “Red Devils”. Në këtë kuadër, sipas burimeve të ndryshme, drejtuesit e klubit anglez tashmë e kanë identifikuar Nico Williams-in, talent i Athletic Bilbao-s, zëvendësuesin ideal. Rashford, i cili kohët e fundit deklaroi se është gati për një sfidë të re, mund të largohet dhe t’i lërë vendin spanjollit premtues.
Nico Williams, 22 vjeç, është një nga lojtarët më të vlerësuar në panoramën futbollistike evropiane. Pavarësisht se ende është i lidhur me klubin e tij bask, Manchester United ka filluar tashmë bisedimet me lojtarin dhe grupin e tij të menaxhimit. Qëllimi do të ishte aktivizimi i klauzolës së shkëputjes që parashikohet në kontratën e Williams, në rast se Rashford do të largohet.
Megjithatë, konkurrenca për Nico Williams është e madhe. Sipas “SkySport DE”, edhe Bayerni është i interesuar për lojtarin, megjithëse gjiganti gjerman ende nuk ka paraqitur një ofertë konkrete. Kjo sepse bavarezët po vlerësojnë ende situatën e sulmuesve të tyre aktualë, si Leroy Sané, Kingsley Coman dhe Serge Gnabry.