Mançester Junajtid bëhet gati për revolucionin e radhës, pasi po tenton që të largojë disa futbollistë të cilët janë larg pritshmërisë që ka pasur për ta. Drejtori i futbollit i klubit, Xhon Murtou, ka udhëtuar këto ditë drejt Arabisë Saudite për të gjetur blerës të mundshëm.
Sipas “Daily Mail”, ai është takuar në Rijad me drejtues të ndryshëm të klubeve arabe, pasi po kërkon blerës për disa prej lojtarëve të skuadrës, mes të cilëve janë Xhedon Sanço, Rafael Varane, Antoni Marsial dhe Kasemiro. Nuk është arritur asnjë akord mes palëve, por mësohet se bisedimet do të vazhdojnë edhe më tej gjatë ditëve të janarit.
Megjithatë, është e qartë që për Mançester Junajtid është prioritet largimi i disa futbollistëve sa më shpejt që të jetë e mundur, duke filluar nga Xhedon Sanço, i cili është përjashtuar nga skuadra. Varane, Marsial dhe Kasemiro janë tre emra të tjerë për të cilët ka më shumë treg, por për të cilët klubi anglez është i gatshëm të presë deri në verë për t’i shitur.
PANORAMASPORT.AL