Dy rivalët e mëdha të dekadës së fundit, Manchester City dhe Liverpool-i, përballen këtë të dielë (17-30) në një ndeshje vendimtare për garën e titullit në Premier League, me Arsenal që aktualisht kryeson renditjen.
City po kalon një formë të shkëlqyer, pasi ka fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit, përfshirë triumfin 4-1 ndaj Borussia Dortmundit në Champions League. Në kampionat, skuadra e Pep Guardiolës vjen pas fitores 3-1 ndaj Bournemouth-it dhe ka fituar nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit në shtëpi.
Nga ana tjetër, Liverpool-i duket se ka lënë pas krizën e fillimit të sezonit me dy fitore radhazi pa pësuar gol, ndaj Aston Villa dhe Real Madridit. Megjithatë, skuadra e Arne Slot kërkon të thyejë serinë e tri humbjeve jashtë fushe në kampionat, diçka që s’i ka ndodhur që nga viti 2012.
Në historinë e përballjeve, Liverpool e mundi dy herë Cityn sezonin e kaluar me nga 2-0, por nuk ka fituar dy herë radhazi në fushën e “Etihad”-it që nga viti 1991.



