Manchester United mund të paguajë mbi 18 milionë euro për të shlyer faturën e shkarkimit të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe asistentëve të tij, të cilët u shkarkuan në janar pas një sërë rezultatesh të dobëta. Vetë klubi e njoftoi lajmin në një deklaratë në bursë.
“Një parashikim prej 15.9 milionë £ (18.1 milionë €), që përfaqëson shumën maksimale të mundshme të pagesave të ardhshme të ndërprerjes së kontratës, do të regjistrohet në pasqyrën e të ardhurave gjatë gjysmës së dytë të vitit financiar që përfundon më 30 qershor 2026”, njoftoi Manchester United në një dokument të publikuar për investitorët të enjten në Bursën e Nju Jorkut, ku klubi është i listuar.
Shuma maksimale prej 15.9 milionë stërlinash do të arrihet në varësi të kushteve të paspecifikuara. Llogaritë treguan gjithashtu se klubi anglez i pagoi Sportingut të Lisbonës 6.3 milionë stërlina (7.2 milionë euro) për të joshur Amorimin në vitin 2024.
Manchester United është një nga klubet e pakta që kuotohet në bursë. Kjo imponon kërkesa për transparencë financiare që lejojnë publikimin e këtyre shifrave që përndryshe do të ishin konfidenciale. Klubi njoftoi në vitin 2024 se kishte paguar 10.4 milionë £ (11.9 milionë €) për të shkarkuar paraardhësin e Amorimit, holandezin Erik ten Hag, dhe stafin e tij.