Edicioni i 9-të i Maratonës së Tiranës, e cila zhvillon për herë të katërt radhazi edhe distancën e plotë të 42.195 km, do të vijë me një risi të këndshme këtë të diel në kryqytet.
Gjatë një prononcimi në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” ka lajmëruar pjesëmarrjen në distancën e 42 km kampioni paralimpik, Richard Whitehead.
“Mezi po pres që të garoj në Maratonën e Tiranës. Kjo është hera ime e parë në Shqipëri dhe shpresoj të dielën të shikojmë sa më shumë njerëz në rrugë për të na mbështetur”, tha 49-vjeçari.
Whitehead është fitues i dy medaljeve të argjendta dhe dy të artave në Lojërat Paralimpike në Londër 2012, Rio 2016 dhe Tokio 2020. Në vitet e fundit atleti ka nisur që të marrë pjesë edhe në maratona ndërsa në këtë vit i ka vendosur vetes qëllim për të përfunduar plot 20 të tilla. Një javë më parë Richard Whitehead ishte në Çikago ku përfundoi me sukses distancën me një kohë mjaft të mirë (2 orë e 41 minuta).