Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, konfirmoi transferimin e afërt të sulmuesit të krahut të djathtë, Noni Madueke, në një konferencë për shtyp përpara finales së Kupës së Botës për Klube, ku Blutë do të përballen me Paris Saint-Germain (PSG) këtë të diel.
“Noni është në kontakt me klubin e tij të ri dhe mendoj se do të largohet në orët e ardhshme”, u përgjigj Maresca në njërën prej pyetjeve të para nga shtypi sot.
Trajneri italian nuk e përmendi ekipin me të cilin do të bashkohet anësori britanik, por shtypi anglez pranon se ai do t’i bashkohet Arsenalit me kërkesë të shprehur të Mikel Artetas, në një transferim me vlerë afërsisht 52 milionë paund (60 milionë euro).
Kur u pyet për mendimin e tij mbi largimin e Madueke (23 vjeç), Maresca e minimizoi atë, duke aluduar në rrethanat që ndodhin në botën e futbollit gjatë tregut të transferimeve.
“Në fund të fundit, nëse lojtarët duan të largohen, është e vështirë për klubin dhe trajnerin (t’i mbajnë ata). Noni vendosi të largohet dhe është vendimi i tij. Nëse ai është i lumtur, edhe ne jemi të lumtur”, përfundoi Maresca .
Detajet e largimit të Madueke, pasi kaloi dy sezone e gjysmë në klubin londinez (20 gola dhe 7 asiste) që nga mbërritja nga PSV Eindhoven, po finalizohen ndërsa Chelsea është gati të luajë finalen e Kupës së Botës për Klube kundër PSG në stadiumin MetLife (New Jersey).