Trajneri i Çelsit, Enco Mareska, ka zbuluar se aktivizimi i Ris Xhejmsit në mesfushë ishte pjesë e planit të tij që në fillim, duke këmbëngulur se ai i tha kapitenit të Çelsit se e shihte atë si një numër 6 që nga momenti kur mori drejtimin.Xhejms shënoi një gol spektakolar nga distanca, ndërsa Çelsi siguroi një fitore me shifrat 2-1 ndaj Kopenhagenit në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Konferencës. Kapiteni i Bluve, i cili luan zakonisht si një mbrojtës i djathtë, u aktivizua si mesfushor mbrojtës gjatë gjithë ndeshjes, një vendim që menaxheri Mareska këmbëngul se ishte pjesë e një vizioni afatgjatë për futbollistin anglez.
“Mund ta pyesni Ris. Kur unë firmosa me Çelsin, ndoshta të nesërmen, i dërgova një video se e shihja si mesfushor”, tha Mareska.
“Unë e shoh Ris si mesfushor, jo tani, por që nga dita e parë. Para se ta takoja për herë të parë, ai ishte me pushime dhe i dërgova një klip të tij duke luajtur në mesfushë”.
25-vjeçari ka qenë një figurë kyçe për Çelsin që nga debutimi i tij në ekipin e parë në vitin 2019, pas një huazimi të suksesshëm tek Uigani. Tekniku italian theksoi se objektivi kryesor mbetet mbajtja e lojtarit në formë, me dëmtimet e shumta që kanë penguar përmirësimin e tij në sezonet e fundit. Kapiteni i Çelsit ka pësuar pengesa të shumta, duke munguar për pjesë të gjata në sezonet e fundit për shkak të problemeve muskulore dhe gjurit. “Objektivi kryesor për ne është ta ndihmojmë atë të jetë në formë gjatë gjithë sezonit”, nënvizoi Mareska.
PANORAMASPORT.AL