Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, është i vendosur të largohet nga Al Ittihad dhe Arabia Saudite, duke hapur rrugën për një transferim në një nga ligat kryesore europiane.
Sipas mediave në Spanjë dhe Angli, dy skuadra të mëdha po ndjekin me kujdes 22-vjeçarin: Atletico Madrid, ekipi i Cholo Simeone, dhe Sunderland, ku kapiten është Granit Xhaka.
Drejtori sportiv i Al Ittihad ka konfirmuar se mbi tavolinën e tij ka ardhur oferta nga La Liga dhe Premier Liga, duke e vendosur Mitajn në qendër të një merkatoje të nxehtë dimërore.
Mediat spanjolle e paraqesin Mitajn si një mundësi interesante për formacionin e Atletico Madrid, megjithatë theksojnë se konkurrenca brenda skuadrës dhe rivaliteti i fortë në mbrojtje mund të kufizojnë kohën e tij të lojës.
Nga ana tjetër, oferta e Sunderland i siguron Mitajt një hap të madh në Premier Ligë dhe një ambient të njohur për shqiptarët, me prezencën e Granit Xhakës si pikë e fortë për integrimin e tij.
Pas eksperiencave në Greqi, Rusi dhe Arabinë Saudite, Mario Mitaj është gati të bëjë një tjetër kapitull në karrierën e tij dhe të sfidojë veten në një nga kampionatet më të forta të Europës.



