Markus Turam zbulon sekretin e evolucion it taktik që pësoi këtë sezon me skuadrën e Interit duke kulmuar me fitoren e titullit kampion. Në një intervistë për mediat franceze ai tregoj fillimisht emocionet për triumfin në derbin e Milanos, që i lejoi Interit fitoren zyrtarisht të titullit.
“Ishte diçka fantastike. Jam shumë krenar për këtë skuadër dhe për tifozët. Kjo fanellë është historike dhe duhet patjetër ta fitonim titullin. Jam super i lumtur. Dy yjet simbolizojnë 20 titujt kampionë të historisë së Interit. Është një krenari e madhe”, tha fillimisht Markus. Ai që është shndërruar në idhullin e tifozëve zikaltër me numrin 9 mbi shpinë mund të ishte bërë mbrojtës. “Është e vërtetë që kur nisa futbollin të gjithë më vendosnin në mbrojtje duke ditur që isha djali i një qendërmbrojtësi të famshëm si Lilian Turam. E kishin më të lehtë ta bënin këtë lëvizje. Pastaj u sqarova me trajnerin dhe i thashë që nuk më pëlqente ta bëja atë rol. Doja vetëm të luaja në sulm”, tregon ai.
SULMUES- Qoftë anësor i majtë apo sulmues kryesor, për Turamin nuk ka më rëndësi. Ai shpjegon arsyen pse. “Bukuria e futbollit është të prekësh sa më shumë topin dhe nuk ka rëndësi ku luan. Ish trajneri im Farke më shpjegoi vite më parë që kisha cilësitë për të qenë në sulm dhe për të luajtur si numër 9. U binda nga ai diskutim dhe gjithashtu fola edhe me tim atë. Edhe ai ishte i bindur që mund ta bëja këtë rol. Për mua është sikur të kem nisur një karrierë të re. Është shumë bukur të jesh sulmues kryesor në një skuadër”, tregon francezi.
INTERI- Përpara sesa të transferohej në Milano, “Tikus” kishte shumë alternativa dhe kërkesa për të vazhduar karrierën e tij. “Ishte zgjedhja ime që të luaja si sulmues kryesor dhe të pranoja ofertën e Interit. Doja numrin 9 mbi shpinë dhe kur u futa në dhomat e zhveshjes e pashë të varur dhe të stampuar mbi emrin tim. Nga aty e kuptova se çfarë duhet të bëja për skuadrën. Kur u transferova në Milano ajo që më befasoi ishte fakti që do të luaja në një stadium me 75 mijë tifozë çdo javë. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Ata të ndihmojnë në çdo aksion. Kur shënon një gol dëshiron t’i ndjesh akoma më shumë”, përfundoi Turam.
PANORAMASPORT.AL