Klube italiane kanë shfrytëzuar deri më sot Dekretin e Rritjes, që i lejon të kenë përfitime fiskale për lojtarët dhe trajnerët e rikthyer në Itali, por qeveria italiane vendosi ta heqë uljen e taksave për transferime të tilla, duke zhgënjyer klubet që llogarisnin avantazhet e Dekretit të Rritjes për të mposhtur konkurrencën për talentet ndërkombëtare.
Për këtë ka folur edhe administratori i deleguar i Interit, Xhuzepe Marota, që ka konsideruar si një autogol për botën e futbollit dhe ekonominë e vendit.
“Në një kohë kur futbolli italian po ngjitet në renditje, ku tri skuadra luajtën në finalet europiane vitin e kaluar, dhe kur dy klube do të jenë në Kupën e Botës për Klube, heqja e Dekretit të Rritjes është një autogol për futbollin dhe për ekonominë e vendit”, ka shpjeguar për “Sky Sport” drejtuesi zikaltër.
“Lehtësimi i taksave përfaqësonte një mjet për të lehtësuar hyrjen në Itali të lojtarëve me interes të qartë, tani është një handikap dhe dëmi i shkaktuar do të jetë i pariparueshëm, edhe për shkak të aktiviteteve të lidhura që futbolli mund të prodhojë”, vazhdoi Marota që lidhur me ata që e konsiderojnë këtë si një mundësi për t’u dhënë hapësirë talenteve vendëse, tha: “Një avantazh për ekipin kombëtar dhe talentet tona? Absolutisht jo. Të rinjtë italianë nuk ishin të disavantazhuar nga ardhja e kampionëve nga jashtë, përkundrazi, të pasurit lojtarë të fortë me të cilët stërviteshin i lejoi ata të rriteshin më mirë. ‘Made in Italy’ nuk do të ketë asnjë avantazh nga ky vendim”.
PANORAMASPORT.AL