Starti i sezonit për Interin nuk ka qenë i lehtë, me një fillim ndryshe nga vitet e fundit dhe me sfida të reja nën drejtimin e trajnerit të ri Cristian Chivu. Pas katër javëve të para, presidenti i zikaltërve, Beppe Marotta, ka dhënë një mesazh qetësie dhe besimi, duke theksuar se ky është një proces natyral pas ndryshimit në stolin e ekipit.
“Duhet të kemi durim. Jemi në një fazë ende të ndërmjetme të kampionatit. Është e qartë që me ndërrimin e trajnerit shfaqen vështirësi që vitet e kaluara nuk i kishim. Por jam i bindur se kultura e punës dhe vlerat tona do të jenë të mjaftueshme për të na rikthyer aty ku duam të arrijmë”, – u shpreh Marotta në një intervistë për Radio Anch’io Sport në Rai Radio 1.
Numri një i Interit vuri në pah edhe rëndësinë e akademisë zikaltër dhe të rinjve që po marrin hapësira në këtë fillim sezoni:
“Jemi shumë të kënaqur që kemi hedhur në fushë dy produkte të sektorit tonë, një trajner si Chivu dhe një lojtar si Esposito. Ky është një motiv krenarie. Shpesh thuhet se klubet e mëdha nuk guxojnë të besojnë te të rinjtë, por realiteti ka ndryshuar. Të rinjtë janë e ardhmja jo vetëm e skuadrave tona, por shpresoj edhe e Kombëtares.”
Me këto fjalë, Marotta kërkon qetësi dhe mbështetje për projektin e ri të Interit, i cili synon të ndërtojë të ardhmen mbi punë, vlera dhe besimin te talentet e reja.