58 vite pas yllit të parë të fituar nga “Interi i Madh” i Helenio Herrerës me Anxhelo Moratin si president, festa zikaltër për yllin e dytë shpërtheu në mbrëmje në rrugët e Milanos pas triumfit në shtëpinë e Milanit dhe vazhdon edhe një ditë më vonë. Dhe sigurisht në këtë festë nuk mund të mungonte Masimo Morati, presidenti më fitues i historisë së Interit me 17 trofe, mes tyre 5 kampionate dhe një Champions League.
Ka nga ata që theksojnë shpesh gjatë këtyre ditëve se Interi ka vetëm 19 trofe pasi një prej tyre e ka fituar në tavolinë në vitin 2006. Megjithatë, përgjigjja e Moratit nuk vonon dhe vjen menjëherë. “Nëse nuk do të kishte ndodhur e gjithë ajo që të gjithë e dimë, do të kishim 25 tituj kampionë tani. Ylli i parë erdhi në një moment kur Interi po fitonte dhe dominonte. Ngritja e trofeve ishte më e lehtë, por futbolli është me cikle. Nëse nuk do të ishte Juventusi, sigurisht që mund të arrinin më përpara tek ylli i dytë”, thotë Morati duke iu referuar “Calciopolit”.
DERBI- “Fitorja e titullit kampion dhe e yllit të dytë në derbi është diçka speciale. Ndeshja e parë kundër Milanit tregoi se nëse Interi bën Interin nuk do të kishte fare histori. Ishte një dominim total dhe duhej patjetër që ta fitonim yllin e dytë përpara Milanit”.
SKUADRA- “Për mua, për mënyrën se si qëndron në fushën e lojës kjo skuadër është unike. Të argëton gjithmonë, nuk bën futboll të ngathët dhe të mërzitshëm siç bëjnë skuadrat e tjera. Është një sezon shumë pozitiv. Ylli i dytë pas një kampionati të dominuar dhe pas zhgënjimit në Champions shëron disi plagët. Por në futboll ka edhe zhgënjime. Imagjinoni që Siti e dominoi Realin për 120 minuta dhe vetëm sulmoi e në fund u eliminua”.
SIMBOLI- “Barela. Ndoshta sepse është i pari që më erdhi në mendje tani. Por ky kampionat është i të gjithëve, nga Dimarko me interizmin e tij, nga Çalhanoglu te Mkitarian që kanë bërë një sezon të shkëlqyer. Lautaro që është një forcë e natyrës”. YLLI- “Sigurisht që ndjej edhe pak timin këtë yll pasi është një shumatore e trofeve të fituar gjatë këtyre viteve. Më vjen mirë që edhe unë kam dhënë kontribut”.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL