“Rekordmeni” i Kombëtares Gjermane Lotar Mateus ka firmosur bashkëpunimin me mediumin prestigjoz të “Sport Bild”, ku do të analizojë ndeshjet në Kampionatin Europian. Ai vetë ishte lojtar në disa Europiane, duke nisur prej 1980, 1984, 1988 dhe 2000. Parashikim befasues për ekipin gjerman ka bërë “zhurmë” në media, ndërsa Mateus ka marrë profilin e “Nostradamusit”.
FITUESI – “Tensioni në grupin e Nagelsman është pozitiv. Kam një ndjenjë të ngjashme me atë kur po afrohej ndeshja jonë e parë në një turne të madh. Kombëtarja e hap sot Kampionatin Evropian në shtëpi ndaj Skocisë. Dhe ashtu si dikur kur luaj për Gjermaninë, jam i bindur plotësisht se mund ta fitojmë turneun. Parashikimi im, Tomas Myler me shokë do të jetë kampione e Europës! Nuk më acaron fitorja 2-1 në miqësoren e fundit kundër Greqisë. Futbollistët tanë janë aq të mirë sa nuk duhet të kemi frikë nga askush. Besimplotë te Julian Nagelsman. Vizoni i tij për futbollin është e një tjetër niveli. Kjo është e vërteta. Mendoj se do të përballemi pas fazës së grupeve ndaj Serbisë dhe më pas karshi Spanjës në çerekfinale.
Do mposhtim në gjysmëfinalen Portugalinë e Kristiano Ronaldos dhe do t’i vendosim kapak suksesit në finale me Francën, ky është parashikimi im. Gjermania bën pjesë në listën e favoritëve, së bashku me Francën, Anglinë dhe Portugalinë. Sigurisht që po pres me padurim edhe befasi nga kombet e tjera. Lëvizja e Kilian Mbape në Real Madrid ndodhi në momentin e duhur. Me përfaqësuesen franceze, Mbape do të bëjë gjithçka për të fituar trofeun. Ama, kombëtarja jonë mund ta ndali si grup, sikurse i mposhtëm në miqësoren e muajt mars, fitore e pastër”, tha Matues.
YJET E ANGLISË – “Aftësia e Herri Kejn në shënimin e golave është një faktor shumë i rëndësishëm te angleze, veçanërisht në bashkëpunimin mesfushorin e avancuar Xhud Bellingam. “Regjisori” i Realit ishte te Dortmundi para një viti dhe për këtë arsye, ashtu si Kejn, ka pësuar pjekuri të frikshme. Të dy njohin shumicën e stadiumeve të Kampionatit Evropian, pasi janë prezantuar në Bundesligë. Nuk do të ndihen plotësisht të huaj. E kam nga përvoja personale, gjatë kohës kur inkuadrohesha te Interi dhe u prezantova në Botërorin e vitit 1990, i zhvilluar në Itali.
PORTUGALIA E CR7-ës – “Jam i emocionuar të shikojë në një tjetër Kampionat Europiani Kristiano Ronaldon. Duket sikur ai është i lindur për të thyer rekorde. E konsideroj pa të voglin dyshim lojtar i jashtëzakonshëm, por ai nuk është më thelbësor te përfaqësuesja luzitane. Portugezët kanë grup shumë të fortë, thuajse në çdo repart. Mjafton t’i hedh një sy klubeve ku luajnë dhe do të kuptojmë kualitetin në kontingjent. Rafael Leo mund të jetë surpriza në grupin e Roberto Martinez. Nuk çuditem aspak. Ai djalosh e ka treguar veten në shumë ndeshje te Milani se mund të zgjedh ndeshjen i vetëm”, vijoi lojtari me më shumë ndeshje te përfaqësuesja e Gjermanisë.
KROACIA – “Kurrsesi nuk duhet të harrojmë kombëtaren e Luka Modriç. Ata kanë qenë aty në turnet e fundit madhor. E treguan gatishmërinë në miqësoren me Portugalinë. Do ishte gabim fatal nëse i nënvlerësojmë. Në ekipin e Daliç ndodhet edhe një prej mbrojtësve më të mirë në botë, Jasko Gvardiol, gjithçka mund të ndodh”, përfundoi Lotar Mateus.
PANORAMASPORT.AL