Në vitin 2008, skuadra gjermane humbi finalen e Kampionatit Europian 0-1, dhe në 2010 gjysmëfinalja e Kupës së Botës pësoi disfatë gjithashtu 0-1 karshi Spanjës.Në Kupën e Botës 2022, takimi në grup përfundoi 1-1 (goli i Niklas Fylkrug). Përfaqësuesja e trajnerit Julian Nagelsman duhet të mposhtë iberikasit në çerekfinale të premten për të avancuar më tej në Kampionatit Europian. Lotar Mateus analizon në “SPORT BILD” pikat e forta dhe të dobëta të të dyja skuadrave. Ai zbërthen planin sesi Gjermania mund t’i mposhtë spanjollët me kundërsulme dhe preferon gjermanin Musiala ndaj Jamal të Spanjës.
ANALIZA – “Është e vështirë të besohet, por unë në fakt isha ende atje si lojtar në fitoren tonë të fundit konkurruese kundër Spanjës, fituam 2-0 në ndeshjen e tretë të grupit në Kampionatin Evropian 1988 në Mynih, me Rudi Fëler që shënoi të dy golat. Pas 36 vitesh, tani është koha që ne të mposhtim iberikasit përsëri në një turne. Në fakt është turp që është çerekfinale. Do të kisha dashur t’i shihja të dyja skuadrat në finalen e Berlinit më 14 korrik. Për herë të parë në këtë turne, skuadra e Julian Nagelsmanit nuk është favorit. Detajet do të vendosin. Është e rëndësishme që lojtarët tanë ta shtyjnë veten deri në kufijtë e tyre. Të dyja kombëtaret parapëlqejnë lojën ofensive. Mund të jetë një spektakël. Loja e tranzicionit do të jetë e rëndësishme, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Kur i krahasoj të dyja skuadrat, shoh pika të forta të ngjashme, sikurse edhe dobësi të ngjashme. Të gjithë e panë se sa të fortë janë spanjollët në katër fitoret e tyre në këtë Kampionat Europian.
Fakti që lojtarët e shquar të Bundesligës si Dani Olmo nga Lajpcig dhe Alejandro Grimaldo nga Leverkusen nuk janë pjesë e njëmbëdhjetëshes së parë është gjithashtu dëshmi e cilësisë spanjolle. Një avantazh për ta është se trajneri Luis de la Fuente ka punuar tashmë me pothuajse gjysmën e ekipit në kombëtaren e të rinjve. Ai e di se mund të mbështetet te futbollistët e tij, ata e dinë se ajo që kërkon prej tyre do të funksionojë. Shpirti i tyre ekipor dhe solidariteti ende mund të ndihet qartë. De la Fuente e bëri tiki-takën më të shpejtë, më dinamike dhe më fleksibël. Kjo i bën spanjollët më të vështirë për t’u lexuar. Të shikosh lojën e Spanjës është kënaqësi për çdo tifoz. Në të majtë është ky Niko Uilliams, tepër i shpejtë dhe i ndërlikuar! Jo shumë njerëz e kishin në radarin e tyre përpara Kampionatit Europian, megjithatë vlera e tij në treg do të jetë lehtësisht në intervalin treshifror dhe ai nuk do të luajë në Atletik Bilbao për shumë gjatë. Unë besoj absolutisht te Joshua Kimish për ta ndaluar Nikon. Mbrojtësi i Bajernit ka luajtur me sukses edhe ndaj Mbapes. Por ai ka nevojë për mbështetjen e shokëve të tij. Ata duhet të ngushtojnë hapësirën në mënyrë që Uilliams të mos arrijë shpejtësinë. E njëjta gjë vlen edhe për anën tjetër, ku Jamal krijon magji, i cili vetëm një ditë pas finales së Kampionatit Europian mbush 17 vjeç! Sa i ndërlikuar është!
Jam i lumtur për mikun tim Hansi Flik që mund të punojë me të në Barcelona sezonin e ardhshëm. David Raum me forcën dhe ritmin e tij është në gjendje të shqetësojë për mrekullinë ndaj Jamal. Duhet kujdes, pas dy magjistarëve të krahut spanjoll është Daniel Karvahal me përvojë, të cilin Dortmundi e ka kujtime të këqija nga finalja e Champions dhe Mark Kukurela. Të dy vazhdojnë të përfshihen në mënyrë ofensive. Në mesfushë, Rodri, një mesfushor i shquar që ka gjithçka që i duhet. Përveç kësaj, teknikët e cilësisë së lartë Pedri dhe Fabian Ruiz, të cilët vendosin një ton sulmues dhe janë të rrezikshëm për të shënuar. Nuk është vetëm si patriot që e preferoj atë Musialan para Jamal në këtë turne. Sepse numri ynë 10 është më i rrezikshëm se spanjolli, të cilin e ka dëshmuar me tre gola të Kampionatit Europian. Ilkai Gyndoan luan një turne të fortë në mesfushën sulmuese. Toni Kros vendos ritmin nga prapa, lideri ynë, truri i ekipit. Unë ende besoj se Toni do të fitojë trofeun e fundit të karrierës së tij madhështore në Berlin”, tha Matues.
PARASHIKIMET – Lojtari “rekordmen” i Gjermanisë Lotar Mateus parashikoi saktësisht fitoren 2-0 të kombëtares gjermane kundër Danimarkës. Në triumfin e pastër të Spanjës kundër Gjeorgjisë (4-1), 63-vjeçari ishte afër me 3-0 dhe 3-1 gjithashtu pranë suksesit të Holandës, ndërsa rezultati i shkojë “tulipanëve” me shifrat 3-0 ndaj Rumanisë. Tani Mateus po parashikon katër ndeshjet emocionuese çerekfinale të Kampionatit Europian, sigurisht me rezultatin dhe arsyet e detajuara. “Do të jenë katër ndeshje të ngushta, të katërt janë të vështira për t’u parashikuar”, thotë ai.
SPANJË – GJERMANI 4:5 (PENALLTI) “Të dyja skuadrat kanë cilësi të madhe dhe shpejtësi të lartë, veçanërisht në sulm, ama të dyja gjithashtu kanë një ose dy lëkundje në mbrojtje. Është me të vërtetë një lojë krejtësisht e ekuilibruar në kushte të barabarta. Prandaj, 1:1 pas 90 minutash, 1:1 pas 120 minutash. Dhe në penalltinë emocionuese, Gjermania fiton. Mezi pres të jem atje në stadiumin e Shtutgartit”.
PORTUGALI – FRANCË 1:2 “Finalja e Kampionatit Europian 2016, të cilën Portugalia e fitoi në Paris. Francezët do të kenë ende një rezultat për të zgjidhur ndaj skuadrës së Kristiano Ronaldos. Edhe pse të dy janë nominalisht të klasit të lartë, ata deri më tani nuk kanë bindur fare në Kampionatin Europian, por përkundrazi janë zhgënjyese. Është më shumë një ndjenjë e fortë, por unë mendoj se Franca do të fitojë me një diferencë të ngushtë, por definitivisht jo për shkak të Kilian Mbape në formën e tij aktuale”.
ANGLI – ZVICËR 1-0 “Zviceranët kanë një nga lojtarët e shquar të turneut si Granit Xhaka. Dhe nëse luajnë po aq të klasit botëror si kundër Italisë, do të kenë një shans të mirë edhe ndaj Anglisë, që për mua është një nga zhgënjimet më të mëdha të këtij Europiani deri më tani. Megjithatë më ka mashtruar disi edhe paraqitja e fortë e austriakëve ndaj Holandës para parashikimit tim për Austri-Turqi. Golat e Xhude Bellingam dhe Herri Kejn në minutën e fundit kundër Sllovakisë mund të shkaktojnë shkundje te Angli”.
HOLANDË – TURQI 2-0 “Mendoj se Holanda do të mbizotërojë relativisht qartë. Megjithatë, skuadra e Ronald Koeman duhet t’i kthejë rastet e tyre në mënyrë më efikase se sa në fitoren 3- 0 kundër Rumanisë. Nëse Turqia luan si në pjesën e parë kundër Austrisë, atëherë do t’i krijojë probleme edhe Holandës. Aq më tepër që Hakan Çalhanoglu po rikthehet pas pezullimit. Jam edhe në stadiumin e Berlinit. Dhe gjithashtu me të vërtetë po pres me padurim tifozët e të dyja skuadrave. Të gjithë, të gjithë tifozët në Kampionatin Europian kanë qenë të mrekullueshëm deri më tani. Por holandezët dhe turqit kanë qenë më të mirët”, përfundoi Mateus.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL