Karlo Ançeloti i konsideron shumë 5 humbje që skuadra e tij ka pësuar deri tani dhe është ndalur te penalltia e goditur nga Mbape.“Mendoj se ndeshja ishte e barabartë, edhe pse Bilbao në shtëpi është një rival i vështirë. Ne luftuam, por mendoj se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Por ata fituan sepse bënë mirë. Ne në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë në aspektin mbrojtës, por në të dytën ishim më mirë në qarkullimin e topit. Patëm mundësi për të shënuar. Mund të merrnim një rezultat më të mirë, por tani të mendojmë për ndeshjen e ardhshme. Sa i përket penalltisë, Vinicius ka goditur mirë penalltitë në ndeshjet e fundit.
Lojtarët që janë caktuar për të goditur penalltinë janë Mbape, Bellingam dhe Vinicius. Ata vendosin në fushë. Mua nuk më bezdisin fjalët e tifozëve që një herë duan Mbapenë dhe herë tjetër nuk e duan. Pretendimet për penallti? Unë nuk e pashë rastin, por arbitri shkoi që të shihte dhe vendosi për të mos e dhënë. Nuk duhet të merremi me këtë. Kemi humbur 5 ndeshje deri tani dhe sigurisht që kjo është e çuditshme. Janë shumë për pak kohë. Vjet kishim humbur vetëm 2.
Duhet të përmirësohemi dhe të shpresojmë të rikuperohen sa më shpejt lojtarët. E dimë që shumë shpejt kemi ndeshje dhe duhet të përgatitemi. Valverde? Ishte shumë i mërzitur për gabimin që bëri, ashtu si Mbape. Por të gjitha janë pjesë e lojës dhe ndodhin. Valverde është një lojtar i madh dhe gjithmonë na ka ndihmuar për të arritur rezultate pozitive. Janë gjëra që ndodhin”, tha Ançeloti.
PANORAMASPORT.AL