Reali i Madridit duket se ka nisur një lojë kukafshehti me Atletikon para derbit të sotëm në mbrëmje në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve. “Los blancos” vijnë në takimin e kthimit me objektivin të amdinistrojnë fitoren 2-1 të një jave më parë në “Bernabeu”, që do t’i jepte biletën për në çerekfinale.
Si për të shpërqendruar ekipin e Simeones, nga Valdebebas, jo më larg se të martën, ka mbërritur lajmi se Mbape rrezikon euroderbin. Klubi madrilen ka bërë me dije se sulmuesi francez e ka nisur seancën e fundit stërvitore i veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Ai ka qëndruar në palestër për të zhvilluar një seancë me ushtrime specifike. Ndërkaq, Reali njoftoi se më pas sulmuesi iu bashkua pjesës tjetër të grupit. Megjithatë, dyshimet nuk është se janë shuar plotësisht.
Gazeta “Marca” ka saktësuar (që të hënën në fakt) se Mbape ka pasur një shqetësim muskulor dhe kjo ka qenë arsyeja që është stërvitur i veçuar. E njëjta gazetë ka saktësuar se në princip nuk pritet që Mbape të humbasë takimin e sotëm, por qëndrimi i tij në palestër ka qenë dhe si masë paraprake për të mos rrezikuar asgjë me sulmuesin francez. Jo vetëm kaq, por me këtë seancë, Mbape mund të rikuperojë energji të jeta për të qenë në 100% për derbin e sotëm.
Mbape ishte një nga lojtarët më të kritikuar të Realit të Madridit në ndeshjen e vajtjes, me trajnerin Ançeloti, që u detyrua të “shpikte” justifikime për paraqitjen e dobët të golashënuesit më të mirë të Madridit në këtë sezon.
VINICIUS – Mbape nuk ka qenë shqetësimi i vetëm i Realit për euroderbin kundër Atletikos. Edhe Vinicius ka bërë një paraqitje jo fort bindëse në takimin e vajtjes. Për më shumë që Atletiko ëhstë kthyer në një makth për sulmuesin e “Los Blancos”. Shifrat e tij ndaj skuadrës së Simeones lënë pë të dëshiruar, ku, në 16 ndeshje ndaj “colchoneros”, ka shënuar vetëm një gol, ndaj, takimi i sotëm në “Metropolitano” është dhe një sfidë personale e Vinit me Atletikon.
Problemet e Viniciusit me Atletikon janë dhe të një natyre ekstrasportive. Duke kaluar nëpër disa incidente raciste, kukulla me fanellën e tij e varur pranë një pankarte në një urë përpara një derbi, brohoritjet në dyert e “Metropolitanos” që nuk u ndëshkuan nga drejtësia, pavarësisht ankesave të Realit e që kanë ushqyer një ndjenjë parehatie te lojtari para çdo vizite në stadiumin e Atletikos së Madridit.
PANORAMASPORT.AL