Pas një sezoni të parë me shije të përzier te Real Madridi, Kylian Mbappé është gati për të treguar versionin e tij më të pjekur në “El Clásico”-n e së dielës. Sulmuesi francez e mbylli sezonin e kaluar me 44 gola dhe “Këpucën e Artë”, por pa arritur objektivat madhorë, përveç Superkupës së Europës dhe Kupës Ndërkontinentale. Një nga momentet më të vështira për të mbetet ndeshja e 26 tetorit 2024 në “Santiago Bernabéu”, ku Reali u mund 0-4 nga Barcelona e Hansi Flick.
Në atë përballje, Mbappé u neutralizua plotësisht nga taktika e trajnerit gjerman, duke rënë tetë herë në kurthin e ofsajdit dhe duke pasur dy gola të anuluar, njëri prej tyre për disa centimetra. Një mësim i ashpër, por i vlefshëm për të kuptuar më mirë rolin e një qendërsulmuesi modern.
Tashmë, situata është krejt ndryshe. Me 15 gola në 12 ndeshje nën drejtimin e Xabi Alonsos, Mbappé është bërë pjesë qendrore e sistemit të ri të Realit. Edhe pse nuk shënoi ndaj Juventusit, ai krijoi shumë raste dhe vetëm pritjet e jashtëzakonshme të portierit Di Gregorio e ndaluan të lërë gjurmë në rezultat. Sezoni i kaluar i shërbeu për të përmirësuar raportin me Barcelonën, kundër së cilës realizoi pesë gola në Superkupë, Kupë dhe La Liga.
Një nga aspektet ku francezi ka punuar më shumë është shmangia e kurthit të ‘ofsajdit’. Pas dy golave të anuluar në fillim të sezonit ndaj Mallorca-s, Mbappé ka qenë shumë më i kujdesshëm: në nëntë ndeshjet e fundit është kapur vetëm shtatë herë në ‘ofsajd’, një tregues i qartë i përmirësimit në leximin e mbrojtjeve të larta si ajo e Barcelonës.
Trajneri Xabi Alonso është i qetë: “Nuk më shqetëson që nuk ka shënuar. Ai krijon raste dhe ofsajdet janë pjesë që mund të përmirësohen me punë.”
Tani Mbappé është gati të përballet sërish me Barcelonën, më i përqendruar, më i pjekur dhe i vendosur të mos bjerë më në grackat që e ndëshkuan një vit më parë.


