Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, ka siguruar këtë të martë se “nëse nuk ka rrezik”, Mbappe do të luajë “nga minuta e parë” në ndeshjen e bardhezinjve kundër Lille, të mërkurën, në orën 20:00, për turin e dytë të Champions League.
Siç u raportua dje, “ylli” francez bëri një rikuperim shumë të shpejtë nga dëmtimi që pësoi javën e kaluar, me një kohë pushimi të parashikuar fillimisht prej tri javësh. Megjithatë, të hënën, klubi befasoi duke njoftuar grumbullimin e sulmuesit për duelin kundër Lille. Në konferencën për shtypin, Ancelotti shpjegoi gjendjen fizike të francezit.
“Mbappé kishte një mbingarkesë muskulare të shkallës së parë. Në pak më pak se një javë, ai donte të udhëtonte me ne, sepse ndihej mirë. Nëse nuk ka rrezik, pa dyshim që do të luajë nga minuta e parë”, ka detajuar Ancelotti.
Ky “rrezik” megjithatë do të vlerësohet këtë të martë, pas seancës së fundit stërvitore të “Los Blancos” para ndeshjes europiane.
Carlo Ancelotti nuk u ka shpëtuar polemikave të dielën e kaluar, në derbin mes Realit dhe Atléticos, ndeshjë në të cilën u hodhën sende në drejtim të portierit Courtois.
“Fjalët e Simeones? Unë respektoj mendimin e të gjithëve, por çështja është mjaft e qartë. Ka pasur akte të dhunshme dhe nuk mund të jenë në fushë futbolli, as në shoqëri. Të flasësh për gjëra të tjera përveç asaj që ndodhi është paksa si të largosh vëmendjen. Dhuna nuk mund të jetë në futboll. Këtë e them jo vetëm për Atléticon, por edhe për të gjitha skuadrat e tjera”, u përgjigj italiani.