Samuel Çukvueze ka mbërritur pasditen e sotme në Milano dhe menjëherë ka udhëtuar në drejtim të qendrës mjekësore aty ku do të zhvillojë testet para se të firmosë me kuqezinjtë. I shoqëruar nga menaxheri i tij, Çukvueze ka mbërritur në Malpensa dhe është pritur nga tifozë të shumtë para aeroportit.
Lojtari do të kryejë vizitat ditën e sotme dhe kontratën me kuqezinjtë do ta firmosë nesër.
Në fakt ishte planifikuar që gjithçka të përfundonte sot por duke qenë se lojtari nuk do të udhëtojë në drejtim të Amerikës atje ku ndodhet edhe pjesa tjetër e skuadrës, është vendosur që firma të hidhet nesër.
Çukvueze vjen te kuqezinjtë nga kampionati spanjoll, ku së fundmi ishte pjesë e Vijarealit.
Ai i ka kushtuar arkave të Milanit 28 milionë euro teksa do të firmosë një kontratë 5 vjeçare.