Me synim forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi më 19 nëntor 2026 vizita pune në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Prokurorinë e Tiranës.
Këto vizita u realizuan në zbatim të Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare për vitin 2026, duke u ndalur në dy drejtime kryesore: Komponentin I, mbi temën “Procesi i rregullt ligjor dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut”, dhe Komponentin IV, lidhur me temën “Vonesat e çështjeve hetimore e gjyqësore, situata aktuale e krijuar me backlog-un dhe zgjidhjet e mundshme”.
Qëllimi kryesor i takimeve ishte njohja nga afër, përmes përvojës së drejtpërdrejtë të zbatuesve të ligjit, me gjendjen e çështjeve të prapambetura, faktorët që ndikojnë në zgjatjen e hetimeve dhe gjykimeve, si dhe mbështetja institucionale që kërkohet nga Kuvendi dhe Ekzekutivi për të garantuar gjykime brenda një afati të arsyeshëm.
Takimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë
Gjatë bisedimeve me drejtuesit dhe stafin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, vëmendja u përqendrua te ecuria e stokut të dosjeve, ngarkesa e gjyqtarëve dhe plotësimi i organikës.
Në këtë kuadër, deputetët u njohën me faktin se ngarkesa e punës në dhomën penale ka shënuar rënie pas plotësimit të vendeve vakante. Gjithashtu, u trajtuan “nevoja për sekretarë gjyqësorë dhe ndihmës ligjorë, ecuria e vlerësimit të gjyqtarëve dhe roli i drejtimit të gjykatës në organizimin e punës në funksion të ritmit të punës dhe efikasitetin në trajtimin e çështjeve për të zbutur vonesat e gjykimit”.
Sfidat e hetimit dhe menaxhimit të dosjeve në Prokurorinë e Tiranës
Në Prokurorinë e Tiranës, diskutimet u fokusuan tek ecuria e çështjeve të prapambetura, plotësimi i trupës së prokurorëve dhe funksionimi i sistemit elektronik për menaxhimin e çështjeve dhe shpërndarjen e tyre me short.
Ndër problematikat specifike të adresuara ishin “vështirësitë në gjetjen e dosjeve gjatë transferimit të prokurorëve, si dhe bashkëpunimi me policinë për administrimin e dosjeve dhe referimin e çështjeve”.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mënyrës së përcaktimit të përparësive në trajtimin e dosjeve dhe kapaciteteve të prokurorisë për të përmbushur afatet dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale.
Hapat e mëtejshëm të mbikëqyrjes parlamentare
Në të dyja institucionet e drejtësisë, plotësimi i organikës dhe organizimi i brendshëm i punës u vlerësuan si elementë kyç për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.
Të dhënat dhe gjetjet e mbledhura gjatë këtyre vizitave do t’i shërbejnë vijimit të procesit të mbikëqyrjes parlamentare, përfshirë zhvillimin e seancave dëgjimore publike dhe hartimin e raporteve përkatëse. Synimi përfundimtar është formulimi i rekomandimeve konkrete që Kuvendi do t’u drejtojë institucioneve përgjegjëse për adresimin e “këtyre dy çështjeve që preokupojnë aktualisht qytetarët dhe vetë sistemin e drejtësisë”.
/rtsh.al/