Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, të mërkurën u mbajt një takim i rëndësishëm për të koordinuar planin 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Në fakt, Grupi Koordinues, i cili është krijuar nga MKRS, e që ka në përbërje profesionistë të fushës nga nivelet qendrore dhe lokale, si dhe përfaqësues të FFK-së dhe të nivelit profesional, ka mbajtur takimin e radhës, e ku ishin të pranishëm edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Qëllimi kryesor i këtij takimi është fillimi i punës intensive në krijimin e standardeve për të gjitha stadiumet në Kosovë dhe nisja sa më e shpejtë e zbatimit të planit pesëvjeçar të infrastrukturës së futbollit, i cili është prezantuar nga ministri Çeku dhe presidenti Ademi edhe në takimet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin në vitin e kaluar, e që ka marrë mbështetjen e tyre.
Ministri Çeku u shpreh se plani 5-vjeçar përfshin Memorandumet e Bashkëpunimit të arritura me 16 komuna të Kosovës bashkë me FFK-në për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit. Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të projekteve të infrastrukturës me Grupin Koordinues, duke garantuar që të gjitha hapat do të jenë në përputhje me standardet e UEFA-s, por edhe në përputhje me nevojat dhe mundësitë reale.
“Tani gjithçka rreth projekteve të përbashkëta të infrastrukturës që janë pjesë e planit 5-vjeçar do të bëhet në koordinim me këtë grup punues, i cili është i përbërë nga njerëzit më kompetent. Ky grup do të jetë edhe vendimmarrës, edhe strategjik edhe orientues, si për ministrinë ashtu edhe për federatën dhe për të gjithë të tjerët sa i përket projekteve të parapara. Tash e tutje gjithçka që ka të bëjë me infrastrukturën e futbollit pa u filtruar nga ky grup, ne, nuk do ta shtyjmë përpara. Kjo pasi përvoja jonë me disa komuna e klube nuk është më e mira, pasi shpesh ka kërkesa megalomane dhe në shpërputhje totale edhe me mundësitë por edhe me nevojat që i kemi. Por, ky grup do ta amortizojë këtë pjesë sepse këto diskutime dhe vendimarrje duhet të jenë profesionale. Pra, ky grup i bën analizat, i bën vlerësimet dhe na orienton edhe neve për të vepruar tutje. Nuk i kam hallet te kursimet, sepse buxheti gjithmonë gjendet disi, por të mos bëjmë investime të pamençura që më pas na kushtojnë më shumë në mirëmbajtje ose në efektivitet.
Pra, qëllimi është që çdo cent i taksapaguesve që investohet në infrastrkuturën e futbollit të jetë investim i mençur”, ka theksuar Çeku. Ministri gjithashtu u angazhua për mobilizimin e të gjitha resurseve financiare për të krijuar një infrastrukturë sportive sa më të mirë, duke shprehur shpresën edhe për mbështetjen e komunave në këtë proces.
E presidenti Ademi nga ana tjetër premtoi mbështetjen e plotë të Federatës së Futbollit të Kosovës për Grupin Koordinues dhe për të gjitha iniciativat për avancimin e futbollit në Kosovë.
Ai e vlerësoi këtë takim si hap pozitiv drejt përmirësimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë dhe si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm mes autoriteteve qendrore, lokale dhe sportive, teksa vuri në pah se selia e FFK-së do të jetë gjithmonë në dispozicion të këtij grupi punues.
Grupi Koordinues përbëhet nga Florim Kryeziu, kryesues (MKRS) si dhe anëtarët: Drilon Kabashi (MKRS), Muhamet Koca (FFK), Florim Grajçevci (FFK), Gent Gërdovci (FFK), si dhe dy përfaqësues me rotacion nga kolegjiumi për Kulturë, Rini dhe Sport i Asociacionit të Komunave të Kosovës.