Mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Herri Meguajër, ka pranuar se sezoni i klubit nuk i është afruar as një note të mjaftueshme dhe ka përdorur të njëjtën frazeologji kur përshkroi lojën e skuadrës në të dyja zonat.Probleme të tilla i kanë lejuar Totenhemit që po vuan gjithashtu, që të fitojë të tria takimet e tyre të fundit kundër Junajtidit, në një sezon për t’u harruar gjithashtu prej “Djajve”.
“E dimë që është një ndeshje kaq e rëndësishme për të gjithë, për tifozët pas një sezoni kaq zhgënjyes dhe për klubin”, tha Meguajër.
“Por ne e shohim ndeshjen si një ndeshje normale, siç bëmë në gjysmëfinale kundër Bilbaos. Ne përgatitemi mirë çdo ditë dhe kur zbret në fushë, jep absolutisht gjithçka dhe kjo është e vetmja gjë që mund të bësh. Rezultati do të duket vetvetiu. Duhet të kujdesemi vërtet për performancën. Finalet janë finale. E di që mund të ndryshojnë në momente ose në çdo gjë tjetër. Ndoshta ke nevojë për pak fat. Mund të luajmë shumë mirë atë ditë dhe të na mundin, ose mund të luajmë keq dhe të fitojmë. Por sigurisht që duhet të sigurohemi që t’i vendosim përqindjet në favorin tonë për sa i përket paraqitjes në fushë, dhënies së gjithçkaje dhe performancës në atë ditë”.
Qendërmbrojtësi po lufton për të qenë titullar në finalen e tij të parë për Mançesterin që kur u transferua nga Lestëri në vitin 2019. Mungesa në finalen e Ligës së Europës në vitin 2021 ishte veçanërisht e dhimbshme për mbrojtësin. Ai pësoi një dëmtim në kavilje, që do të thoshte se kapiteni i atëhershëm i klubit duhej ta shihte triumfin e Vijarealit me penallti në Poloni nga stoli.
“Në atë kohë flitej për të arritur atje, por nuk isha aspak i gatshëm për atë finale”, tha ai.
“Shtyja e shtyja, por prapë po e kisha të vështirë të vrapoja, e lëre më të shkoja dhe të luaja një finale. Mungesa kundër Vijarealit ishte një ngjarje e madhe për mua. Isha kapiten i klubit në atë kohë dhe një pjesë e madhe e asaj skuadre. Ndoshta rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse do të kisha qenë në ekip”.
PANORAMASPORT.AL