Mbrojtësi i Spanjës, Dani Vivian (Vitoria, 1999) luajti një pjesë të minutave më të rëndësishme të ndeshjes kundër Francës.
Mbrojtësi hyri në fushë për të zëvendësuar Hezus Navas-in e dëmtuar dhe, së bashku me Laporte, Naçon dhe Kukurejën përjetoi jo pak minuta të vështira duke u përballur me Kilië Mbape e plot emra të mëdhenj të “Gjelave”.
“Ne ndihemi si fitues çdo ditë, por nuk ndihemi si fitues të Europianit. Arritja në finale është diçka e madhe për ne, por jo gjithçka. Ne duhet të ecim hap pas hapi, ditë pas dite. Ne e shohim veten duke punuar për të arritur atë që të gjithë duam, të kthehemi në Madrid me trofeun me vete”, deklaroi ai në konferencën për shtyp pas suksesit. Qendërmbrojtësi, i cili e nisi si titullar kundër Shqipërisë dhe ka luajtur 122 minuta në këtë Europian, shpjegoi se Spanja po e përgatit me seriozitet dhe qetësi finalen e madhe kundër Anglisë. Në konferencën për shtyp, mbrojtësi i Spanjës ka folur edhe për kapitenin Alvaro Morata, një nga lojtarët më të komentuar të “La Roja”-s. “
Të kesh një kapiten si Alvaro Morata është një privilegj dhe fat për ne. Ai është kapiteni ynë dhe ne nuk mund të jemi më mirënjohës. Mënyra e tij e mbrojtjes është mënyra e tij e jetës në baza ditore. Nuk mund të jesh më i përkushtuar. Ai përfundon çdo ndeshje në lot, sepse ka shumë përgjegjësi dhe dëshirë që gjithçka të shkojë mirë. Ai është sulmuesi i parë dhe ai është i pari që mbron”, deklaroi qendërmbrojtësi.
Dani Vivian ka folur dhe për dy anësorët e rinj të kombëtares, Niko Uilliams e Lamine Jamal. Për ata ka vetëm fjalë të mira.
“Janë dy fenomene, kalojnë shumë mirë bashkë dhe po na japin shumë gëzim”, nënvizoi ai.
PANORAMASPORT.AL