Jo vetëm Spanjë-Gjermani, e premtja dhuron edhe një tjetër klasikes europiane në çerekfinalet e Euro 2024.
Portugalia dhe Franca do të përballen mes tyre në “Volksparkstadion” të Hamburgut duke nisur nga ora 21:00.
Në një duel që premton rivalitet dhe luftë të madhe sportive. Rreziku kryesor për luzitanët është sigurisht Kylian Mbappe.
Por, për të qetësuar disi tifozët portugezë mendon Nuno Mendes, i cili ishte shok skuadre me “yllin” francez te PSG gjatë tri viteve të fundit.
“Të them të vërtetën, Kylian nuk do të luajë në krahun tim. Por nëse do të guxojë të sulmojë në krahun tim, unë do të jem gati.
Stërvitem çdo ditë për këto lloj momentesh, të gjithë jemi përgatitur shumë mirë për takimin me Francën.
Do të bëjmë të pamundurën për t’i kufizuar pikat e tyre të forta, gjithashtu duam të luajmë futbollin tonë.
E kemi të qartë se na pret një sfidë e komplikuar. Gjithsesi, unë e njoh mirë Mbappenë dhe do të bëj çmos për ta ndaluar”, u shpreh 22-vjeçari i korsisë së majtë.