Realit të Madridit i duhet të bëjë llog aritë në një moment të sezonit, ku vetëm llogari nuk duhen bërë. Nga fundi i kampionatit në Spanjë kanë mbetur vetëm 5 javë, por problematikat e kanë detyruar Ançelotin ta shohë me një sy tjetër ndeshjen e kësaj të diele kundër Selta Vigos.
Është ndeshja para “El Clasicos” të dielën, më 11 maj, në të cilën gjithçka tregon se në lojë do të jetë titulli kampion. Ajo “El Clasico” mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në formacionin e Ançelotit kundër Selta Vigo, edhe pse Reali i Madridit është i dënuar të fitojë për të arritur Barcelonën, që nga ana e saj luan me Vajadolidin e vendit të fundit sonte në mbrëmje dhe fitorja duket e parashkruar. Për ndeshjen kundër galicianëve, Reali përballet me mungesa të shumta në mbrojtje për shkak të dëmtimeve.
Rydiger, Mendi dhe Alaba nuk do të jenë. Me shumë gjasa ata nuk do të jenë as kundër Barcelonës më 11 maj. Si të mos mjaftonin këto, situata mund të ndërlikohet më tej nga kartonët. Reali i Madridit ka tre lojtarë që janë një karton i verdhë larg pezullimit e për rrjedhojë të mungojnë në “El Clasico”-n e javës së ardhshme. Tre lojtarët e Realit që rrezikojnë ndeshjen e së dielës të 11 majit janë Tçuameni, Lukas Vaskez dhe Sebajos.
Të tre pritet të luajnë si titullarë kundër Selta Vigos, por kërcënimi i pezullimit mund të ndikojë jo pak, sidomos në rastin e mesfushorit francez. Ançeloti nuk ka mbrojtës qendror dhe francezi ka qenë dhe është zëvendësimi në qendër të mbrojtjes për Rydiger ose Alaba. Humbja e mundshme e tij për “El Clásico”-n do të ishte një goditje e madhe për Karleton, i cili aktualisht është pa Rydiger, Alaba, Militao, Karvahal dhe Mend, të gjithë të dëmtuar.
Duke pasur parasysh këtë situatë, nuk mund ta përjashtohet mundësia që më shumë se një lojtar i ri të mund të fillojë si titullar në mbrojtjen e Realit të Madridit kundër Selta Vigos këtë të diel. Zgjidhja tjetër do të ishte Vajeho, por ai nuk ka qenë në listën e Ançelotit dhe nuk është, ndaj duket e pamundur që ai ta nisë nga minuta e parë të diel. Ajo që është e qartë është se trajneri italian përballet me një sfidë të vështirë në zgjedhjen e formacionit titullar për ndeshjen e kësaj të diele kundër Seltës, me “El Clasicon” në horizont.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL