McLaren arriti një fitore të dyfishtë sot në pistën e Spielberg, të vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1. Piloti britanik Lando Norris e nisi garën nga vendi i parë e dhe e mbylli atë si fitues, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri, i dyti.
Australiani parakaloi Charles Leclerc me Ferrari në kthesën e parë dhe dueloi me shokun e tij të skuadrës në pjesën e parë të garës, por pa mundur ta parakalojë.
Ai u përpoq të bëjë dicka në xhirot e fundit por pa sukses, por e ruan kreun e renditjes edhe pas kësaj gare.
Në vendin e tretë u rendit Leclerc me “kokëkuqen”, që la pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton (i katërti). Në vendin e pestë u klasifikua britaniku George Russell me Mercedes. Një garë për t’u harruar kjo për Max Verstappen e Kimi Antonelli, që u përplasën mes tyre që në start.
Për sa i përket garës ajo ishte e mërzitshme në shumicën e saj, me pilotët e kreut që patën diferenca të mëdha mes tyre. Vetëm xhirot e para dhuruan disi emocione, me dy pilotët e McLaren që dueluan mes tyre. Në “top-10” u renditën edhe Lawson, Alonso, Bortoleto, Hulkenberg dhe Ocon.