Miami tregoi se “power unit” gjermane është e pakapshme, kurse Maranello po vuan për të gjetur vazhdimësinë, me paqartësi dhe strategji e makina jo në lartësinë e duhur.
Gara e fundit në Miami ka konfirmuar se “power unit” Mercedes nuk ka rivalë në Botërorin 2026. Ndalesa e detyruar u ka dhënë skuderive mundësinë të bëjnë ndonjë përmirësim të makinave. Me rikthimin në pistë, McLaren duket se ka ditur ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë kohën që kishte në dispozicion.
“MCL40” dukej vërtet më e qëndrueshme, duke lejuar pilotët Norris dhe Piastri të kenë një kontroll më të mirë. Nëse skuderia gjermane po dominon kampionatin, McLaren – me motor AMG – po fiton terren, duke u klasifikuar si forcë e dytë e kampionatit.
Ferrari në anën tjetër duket se nuk ka gjetur zgjidhjet që shpresonte. Krahu “Macarena” nuk bën mrekulli dhe vazhdojnë paqartësitë sa i takon strategjisë. Leclerc mbajti një ritëm të mirë gare për aq sa mundi, pastaj bëri një sërë gabimesh, që e zhvendosën nga vendi i 4-t në të 8-in. Sezoni është ende i gjatë dhe ka kohë për të shpresuar për diçka më të mirë.