Milani bleu shumë lojtarë në seancën e fundit të merkatos. Kuqezinjtë kanë ndryshuar shumë në skuadër. Goditja më e mirë për momentin është ajo e Pulisiçit. Anësori kuqezi fitoi çmimin lojtari më i mirë i vitit për SHBA-në dhe ia doli për herë të katërt në karrierën e tij, duke barazuar rekordin e Donovanit, flamurit historik dhe legjendës së futbollit amerikan.
Gëzimi i Pulisiçit duket edhe në videon e publikuar në rrjetet sociale: “Faleminderit djema, e vlerësoj shumë”. Ndërkohë nuk duhet harruar se për muajin dhjetor ai u vlerësua si “Lojtari më i mirë” për Serinë A. Pa dyshim, shumë krenari edhe për Milanin ku deri tani ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë gjashtë asiste në 26 prezenca.
Çmimi, i cili sigurisht akordohet nga Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara, vlerëson kontributet dhe performancat e jashtëzakonshme të Pulisiçit gjatë vitit të kaluar. Ylli i kombëtares mposhti konkurrencën e bashkëlojtarit Junus Musah, Folarin Balogun, Rikardo Pepi dhe Met Tërner. Milani dhe kombëtarja e surprizuan lojtarin në Milanelo dhe me këtë rast Pulisiç lëshoi edhe një intervistë, ku reflektoi për ecurinë në vitin e tij të shkuar.
Përshkruajeni vitin 2023 me një fjalë?
Ndryshim, por në një mënyrë pozitive.
Kujtimi i parë që ju vjen në mendje?
Goli im i parë me Milanin (kundër Bolonjës). Ishte një moment i veçantë.
Goli më i bukur?
Goli kundër Frozinones. Më ka mbetur me të vërtetë në mendje, sepse mbaj mend që mora një asist nga portieri ynë, Maik Menja përpara se të mposhtja portierin e ekipit kundërshtar.
Asisti i preferuar?
Ai që i dhashë Olit (Olivie Zhirusë) kundër Napolit me këmbën time të majtë.
Ndeshja më e mirë?
Pa dyshim, ajo ndaj Njukasëllit, që kulmoi me një fitore drithëruese në minutat e fundit.
Kujtimi më i veçantë?
Ditën kur nënshkrova me Milanin. Ishte vërtet një emocion i fortë. Unë kisha babanë tim, disa miq dhe familjen këtu në Milano. Ishte vërtet një ditë e paharrueshme.
Çfarë keni mësuar këtë vit?
Kam mësuar të jem më i duruar dhe të jetoj më shumë momentin, me vetëdijen për të shijuar çdo moment, qoftë pozitiv apo negativ.
Surpriza më e mirëpritur?
Kjo. Ajo që ju dhe ekipi i SHBA-së sapo më bëtë kur më njoftuat se kisha fituar çmimin e futbollistit mashkull të vitit në SHBA. Ka një kuptim të veçantë.
Cila është shpresa juaj për të ardhmen?
Të fitoj trofe në vitin e ardhshëm, duke vazhduar të ndjek ëndrrën time me vendosmëri dhe pasion.
PANORAMASPORT.AL