Pavarësisht se ëndërronim një nisje historike, të aventurës së dytë, në finalet e një Kampionati Evropian të futbollit, “Të Kaltërit” e Italisë na treguan se jemi ende larg të qënurit “të barabartë” me “gjigantët” e futbollit, në “kontinentin e vjetër”, teksa në sfidën e parë, të Euro 2024 u mundëm me rezultatin e ngushtë 2 me 1, nga kampionët në fuqi të Evropës.
Protagonist në këtë sfidë ishte edhe talenti i mbrojtjes, Riçardo Calafiori, me 22-vjeçarin e Bologna, që ka impresionuar një sërë personalitetesh të botës së futbolli, ndër ta edhe ish-strategun e pankinës, Fabio Capello, i cili u shpreh se me klasin e tij dhe shkathësinë me topin në këmbë, i kujtoi “legjendën” e gjallë të mbrojtjes, Sergio Ramos.
“Më impresionoi personaliteti i Calafiori në Dortmund. Nuk dukej fare si një debutues në Evropian. Tregoi shkathtësi me topin në këmbë. Më kujtoi Sergio Ramos, i cili gjithashtu luante në krah në fillimet e tij e më pas u shndërrua në qendërmbrojtës, njësoj si Calafiori.
Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se Ramos nuk ishte aq i ashpër, u bë me kalimin e viteve”,- tha ndër të tjera ish-tekniku italian.