Rikthimi i mundshëm i Antonio Kontes në stolin e Juventusit po përflitet gjithnjë e më shumë, dhe jo pa arsye.Ky kthim nuk do të përfaqësonte vetëm një ndryshim teknik, por një rilindje e plotë e shpirtit bardhezi. Aktualisht, Antonio Konte është duke luajtur gjithçka për të fituar titullin kampion me Napolin në javën e fundit të Serisë A. Por pas asaj ndeshjeje, me shumë gjasë, gjithçka do të ndërpritet. Pas një kohe në Napoli, ku tashmë ka dhënë shenja të qarta të vizionit të tij, Konte është gati të rikthejë atë identitet të fortë që për vite ka karakterizuar Juventusin fitues.
STAFI- Konte nuk do të ishte vetëm në këtë aventurë të re. Përveç bashkëpunëtorëve të tij besnikë, si zëvendëstrajneri historik Kristian Stellni dhe vëllai i tij Xhanluka, tekniku puliez planifikon të përfshijë figura me një të kaluar të lavdishme në klub. Emri më i përfolur është ai i Antonio Pintus, ish-përgjegjës i përgatitjes fizike te Real Madridi dhe më parë pjesë e stafit juventin gjatë kohës së Kontes si lojtar. Një profil me përvojë të jashtëzakonshme që mund të garantonte profesionalizëm të lartë në një fazë kyçe për klubin. Një tjetër emër interesant është Leonardo Bonuçi, i cili mund të ndjekë gjurmët e Masimo Karerës në rolin e një ndihmësi teknik, duke sjellë eksperiencën e tij si ish-kapiten dhe një figurë me peshë në dhomën e zhveshjes.
ADN-ja- Përveç aspektit teknik, Konte synon të rikthejë thellësisht “ADN”-në juventine, atë frymë dhe përkushtim që ka shoqëruar klubin në vitet më të arta. Figura, si Xhorxhi Kielini, një simbol i qëndrueshmërisë dhe besnikërisë ndaj klubit, shihet si nyje lidhëse ideale mes trajnerit, lojtarëve dhe drejtuesve, një rol i ngjashëm me atë që kishte Lele Oriali në eksperiencat e mëparshme të Kontes (edhe aktualisht në eksperiencën me Napolin). Prandaj, nëse rikthimi i Kontes konkretizohet, nuk do të jetë thjesht një ndryshim në pankinë, por një rikthim te vlerat, përkushtimi dhe kultura fituese që e bëri Juventusin një nga klubet më të respektuara në botë, një projekt që kërkon jo vetëm strategji, por edhe ndjenja. Dhe Konte i ka të dyja.
PANORAMASPORT.AL