Drita rikthehet sonte në skenën evropiane, ku do të përballet me skuadrën nga San Marino, Tre Fiori, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi zhvillohet në stadiumin “San Marino” në Serravalle, me fillim nga ora 21:00, ndërsa kampionët e Kosovës synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off” të garës.
Kjo sfidë vjen në një moment të rëndësishëm për klubin gjilanas, i cili vetëm pak ditë më parë i dha fund bashkëpunimit me trajnerin Zekirija Ramadani, pas më shumë se dy vjetësh e gjysmë suksese të përbashkëta.
Ndërkohë, drejtimin e skuadrës e ka marrë Visar Shemxhaj, i cili do ta udhëheqë ekipin në këtë sfidë të rëndësishme evropiane. Për Shemxhajn, ndeshja ndaj Tre Fiorit përfaqëson një debutim të rëndësishëm në stolin e kampionëve të Kosovës, me synimin për të vazhduar rrugëtimin e suksesshëm të klubit në garat ndërkombëtare.
Nga kampi bardhekaltër është theksuar se ekipi do të futet në fushë me krenari, përqendrim dhe besim, duke kërkuar një rezultat pozitiv.