Me vrap në tualet dhe tërheqje! Virusi misterioz bëhet makthi i Australian Open
Në Australian Open, më shumë se kundërshtari, makthi i tenistëve është bërë dhimbja e barkut. Një lloj virusi po qarkullon në turneun australian, pasojë e kushteve klimatike ekstreme, me luhatje temperaturash nga 42 në 18 gradë. Ka pasur edhe momente, kur mbledhësve të topave u ka rënë të fiktë.
Pse të gjithë ndihen keq? Një virus misterioz gastrointestinal po përgjysmon tabelën. Imazhi simbol është ai i Luciano Darderi. Menjëherë pas ‘match point’-it kundër Garin, në vend që të festonte, ai i shtrëngoi dorën me shpejtësi kundërshtarit dhe ia mbathi. “Duhet të shkoj në tualet”, – tha ai mes shtrëngimeve.

Shkoi më keq për Flavio Cobolli, i detyruar të tërhiqej, pasi papritur u ndje keq. Edhe francezi Hugo Gaston ngriti flamurin e bardhë kundër Sinner pas dy setesh, për shkak të spazmave. Belgu Collignon u dorëzua gjithashtu për probleme fizike.
Këtë problem vitin e kaluar e vuajti Jannik Sinner në ndeshjen kundër Rune. “Ka tension, bën shumë vapë dhe djersisim shumë. Nëse nuk pi sasinë e duhur të ujit, rrezikon shumë”, – ka shpjeguar tenisti italian, duke sjellë në vëmendje rastet e Auger-Aliassime dhe Collignon. Kërkohet kujdes maksimal për të rujatur energjitë, duke shmangur kontraktimet dhe gripin për të mos shkatërruar turneun.