Ndeshje “vëllazërore” e kanë vlerësuar mediat zvicerane takimin ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, që do të luhet të shtunën në orën 20:45. Ndeshja e parafundit Zvicër – Kosova e Grupit I kualifikues për “Euro 2024”, do të luhet në stadiumin “St. Jakob Park” në Basel.Me fitore, Zvicra e siguron kualifikimin në Evropianin e vitit tjetër që do të organizohet në Gjermani.
Xherdan Shaqiri ka thënë se Zvicra do të synojë ta mposhtë Kosovën për ta konfirmuar kualifikimin në “Euro 2024”. Në konferencën për shtyp, Shaqiri është paraqitur përkrah trajnerit Murat Jakin. Shaqiri pranoi se nuk ishte aspak i kënaqur që nuk u aktivizua ndaj Izraelit, ndeshje që u luajt në Hungari dhe përfundoi 1-1. Megjithatë, ai pritet të jetë titullar ndaj Kosovës në duelin që luhet të shtunën prej orës 20:45 në Bazel dhe i takon Grupit I kualifikues.
Në këtë ndeshje, Shaqiri do ta regjistrojë paraqitjen e tij të 118-të me “helvetikët”.
“Nuk isha aspak i kënaqur që nuk luajta kundër Izraelit, por pas ndeshjes kemi biseduar me trajnerin dhe gjithçka është në rregull. Kjo është shumë e rëndësishme. Tami, me intereson ndeshja me Kosovën, të cilën duhet ta fitojmë. Jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin, pasi të gjithë i dinë cilësitë e mia”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri në këtë përballje, do të regjistrojë paraqitjen e 118-të, duke barazuar rekordin me Heinz Hermanin. Shaqiri ka thënë se kjo ndeshje do të jetë e veçantë edhe për faktin se përball do ta ketë Kosovën. “Koha.net” raporton se ai pranoi se presioni është te Zvicra, por shtoi se e vlerësojnë Kosovën që ditë më parë e mposhti Izraelin, me të zviceranët barazuan.
“Padyshim se është ndeshje speciale, pasi gjithmonë kam pasur synimin në rekordin e Hermannit. Po ashtu, të luaj kundër Kosovës në Bazel dhe në të njëjtën kohë të barazoj rekordin e Hermaniot, i bën gjërat edhe me të veçanta. Për mua, kjo ndeshje do të jetë edhe më e veçantë nëse e konfirmojmë kualifikimin në Evropian”, ka thënë Shaqiri. “Ndaj Kosovës na duhet një paraqitje e mirë për 90-të minuta, pasi e ka mposhtur Izraelin. Sigurisht se ka presion, por lojtarët më të mirë kur kanë presion japin më të mirën nga vetja. Dhe, këtë dua ta tregoj ndaj Kosovës”.
Xherdan Shaqiri ka thënë se nuk do të festojë në asnjë mënyrë nëse shënon gol ndaj Kosovës. Ai tha se ka respekt të madh për Kosovën, pasi është vendlindja e tij dhe për këtë arsye nuk do të festojë në rast të shënimit të golit.
“Kam respekt të madh për Kosovën. Kam lindur në Kosovë, prindërit e mi janë nga Kosova dhe atje kam shumë të afërm. Përkundër kësaj, unë dua të shënoj gola për Zvicrën të shtunën, pasi luaj futboll dhe kjo është puna im. Por, jam i bindur se nuk do të festoj”, shtoi Shaqiri.
PANORAMASPORT.AL