Austria ka shpëtuar me një barazim 1:1 në përballjen me Kosovën në Prishtinë, ndërsa transmetuesi publik austriak ORF e ka përshkruar ndeshjen si një takim ku përfaqësuesja e tyre rrezikoi të largohej pa pikë.
Në raportimin pas ndeshjes, ORF e ka titulluar lajmin: “Kombëtarja austriake shpëton me barazim në Kosovë”.
Sipas ORF-së, Kosova ishte skuadra më aktive në pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi në minutën e 70-të, kur Fisnik Asllani realizoi për 1:0.
Vetëm pak minuta më vonë, Kosova ishte pranë dyfishimit. Milot Rashica goditi shtyllën, ndërsa Austria u shpëtua edhe nga pritjet e portierit Alexander Schlager.
ORF thekson se Austria e gjeti golin e barazimit në minutën e 85-të përmes Christoph Langut, i cili në debutimin e tij me Kombëtaren realizoi golin që i siguroi ekipit austriak një pikë në Prishtinë.
Transmetuesi austriak veçon edhe paraqitjen e Edon Zhegrovës, duke theksuar vështirësitë që Konrad Laimer pati në përballjen me anësorin kosovar.
Sipas ORF-së, Laimer shpesh ishte në disavantazh ndaj Zhegrovës, i cili me lëvizjet dhe teknikën e tij krijoi probleme për mbrojtjen austriake.
Në fund, ORF vlerëson se Austria mbeti në krye të grupit, por Kosova kishte mundësinë për ta marrë fitoren dhe për t’u shpërblyer me tri pikë pas paraqitjes së saj në pjesën e dytë.
Portieri Alexander Schlager, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Austrisë në këtë takim, e pranoi vështirësinë e ndeshjes, duke theksuar se nuk është e lehtë të luash në Prishtinë.
Kështu, sipas ORF-së, Austria mund të jetë e kënaqur me pikën e marrë në “Fadil Vokrri”, ndërsa Kosova mbetet me keqardhjen për rastet e humbura që mund t’i kishin siguruar fitoren.