Skuadra e Burnleyt ka filluar të ringjallet xhirove të fundit në Premierligë, teksa javën e fundit barazoi 2:2 në udhëtim te Chelsea.
Meritor për kthimin në garë të Burnleyt është edhe portieri i Kosovës, Aro Muriq.
Shtatlarti e fitoi rastin në dy ndeshjet e fundit dhe Burnley mori dy rezultate pozitive. Fitoi 2:1 ndaj Brentfordit dhe barazoi 2:2 me Chelsean.
Në të dy ndeshjet 25-vjeçari shkëlqeu dhe mund të jetë në portë deri në fund të edicionit.
Mediumi i fuqishëm “The Athletic” i ka bërë një analizë skuadrës, derisa shkruajti edhe për portierin kosovar.
“Arijanet Muriq po ofron siguri. Ishte i vetmi zëvendësim që trajneri Vincent Kompany nuk kishte provuar. Por pas 28 xhirosh me besim të palëkundur në transferimin e verës, James Trafford, Kompany vendosi të ndërrojë portierin. Muriq ishte i jashtëzakonshëm në kampanjën në Championship që përfundoi me titull edicionin e kaluar. Bëri vend në ekipin më të mirë të edicionit, sipas votimit të lojtarëve. Ishte pjesë e ekipit që mburrej me bilancin më të mirë në mbrojtje. Kombinoi ndaljen e gjuajtjeve me kualitetin gjatë posedimit të topit”, ka analizuar “The Athletic”.
Sipas këtij mediumi, shumë kanë vlerësuar se portieri i Kosovës u zëvendësua pa të drejtë nga Trafford, që u transferua nga Manchester City për 15 milionë funte.
“I kufizuar që të luajë në ndeshjet për Kupë, Muriqit i ishte mohuar shansi për të dëshmuar që ka kualitetin për Premier League. Ai u kthye në fitoren ndaj Brentfordit dhe të shtunën bëri hapin tutje. Muriq i bëri 11 pritje, disa prej tyre vendimtare. Numrin e pritjeve e kombinoi me shpërndarjen e duhur të topave”.
“The Athletic” shkruan se Muriq është i denjë për Premier League dhe se bashkëlojtarët i besojnë atij.