Drita do të përballen me Plzenin në ndeshjen e kthimit në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.
Dueli mes skuadrës së Dritës dhe asaj çeke zhvillohet sonte (e enjte) me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Pas barazimit në ndeshjen e parë në udhëtim, Drita tani shpreson të shkaktojë një mrekulli për ta eliminuar gjigantin çek edhe pse një gjë e tillë është shumë e vështirë.
Por lehtë nuk do të jetë as për mysafirët, të cilët nuk kanë kaluar mirë në ndeshje zyrtare pasi në tre të parat kanë barazuar në dy dhe kanë humbur një tjetër mes kampionatit dhe Ligës së Konferencës.
Se nuk do të jetë e lehtë për Plzenin ka raportuar edhe gazeta më e madhe në Republikën Çeke ‘Isport.cz‘, duke paralajmëruar skuadrën e tyre se i pret një ndeshje shumë e vështirë në kryeqytetin tonë.
“Tre ndeshje të pasuksesshme janë për Plzen. Tani vjen dita D. Një ditë që mund të ndryshojë trendin e një fillimi të sikletshëm të sezonit në Plzen”.
“Ose jo, dhe zyrat e Doosan Arena do të mbushen me njerëz. Në revanshin e xhiros së dytë preliminare të Ligës së Konferencës ndaj Dritës, Viktoria ka absolutisht nevojë për sukses sonte. Por, Viktoria Plzenin e pret një ndeshje mjaft e vështirë sonte”, shkruan mediumi çek, Isport.cz.
Plzen ka zhvilluar tre ndeshje zyrtare deri më tani, dy në kampionat në udhëtim te Teplice duke humbur 1-0, barazoi me Dritën 0-0 si dhe u ndal në barazim edhe me Hradecin 1-1.
Tutje mediumi çek raporton për suksesin e Plzen vitin e kaluar kur shkuan në grupet e Ligës së Kampionëve, por tani gjendja te klubi i madh çek është e vështirë.
“Një vit më parë, Plzen kaloi në mënyrë sensacionale rrugën e tij në tre raundet paraprake për në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve, gjë që e shpëtoi klubin nga kolapsi i afërt”.
“Shumica e anëtarëve të ekipit i kujtojnë mirë sukseset e vitit të kaluar, por disponimi aktual është krejtësisht ndryshe, nën drejtimin e trajnerit të ri, skuadra ende po lufton në ndeshje të mira dhe nervozizmi po rritet”, përfundon shkrimin mediumi çek ‘Isport.cz’.