Meriton Korenica ka nisur të lërë gjurmën e tij te FCSB-ja, duke gjetur golin e parë me fanellën e klubit rumun në një mënyrë spektakolare.
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës ishte protagonist në përballjen ndaj Petrolulit, ku shënoi në minutën e 24-t për t’i dhënë FCSB-së epërsinë 2-1.
Korenica realizoi pas një aksioni individual të jashtëzakonshëm. Ai fitoi topin në mesfushë dhe u nis me shpejtësi drejt portës kundërshtare, duke depërtuar në zonë dhe duke u përballur me portierin.
Fillimisht, kosovari provoi ta kalonte portierin, por pas tentimit të parë nuk u ndal. Në përpjekjen e dytë arriti ta anashkalojë atë dhe vazhdoi aksionin deri në fund, duke e shtyrë topin drejt rrjetës dhe duke festuar golin e tij të parë me FCSB-në.
Pavarësisht avantazhit të krijuar, skuadra rumune nuk arriti ta menaxhonte rezultatin deri në fund. Petroluli reagoi dhe takimi përfundoi me shifrat 2-2.
Megjithatë, për Korenicën ishte një mbrëmje e veçantë, pasi ai jo vetëm që gjeti golin e parë me klubin e ri, por ishte edhe një prej futbollistëve më të dalluar të FCSB-së.
Korenica iu bashkua FCSB-së gjatë kësaj vere, pas aventurës së tij te CFR Cluj. Transferimi te një prej klubeve më të njohura të futbollit rumun përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e kosovarit.